RMV deri në fundjavë pa qeveri, Xhezairi: Serbo-rusi me dy poste në kabinet, Stolkoviç, e vë në pozitë të vështirë Mickosckin
Dy lëvizjet politike VLEN dhe ZNAM do të njoftojnë zyrtarisht kreun e VMRO-DPMNE-së për kandidatët e tyre për ministra dhe zv/ministra në qeverinë e ardhshme.
Dhe pasi të pranojë të gjithë propozimet, i mandatuari për ngritjen e qeverisë së re, Hristijan Mickoski nesër do të dorëzojë në Kuvend propozimin përbërjen e kabinetit bashkë me programin e qeverisë.
Seanca për diskutim dhe votim të qeverisë së ardhshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk është konfirmuar akoma se kur do të mbahet, por diskutimi mund të zgjasë deri në dy ditë.
Sipas parashikimeve të Mickoskit, qeveria e re do të votohet më 22 ose 23 qershor.
Lidhur me këto zhvillime analisti Seladin Xhezairi në një intervistë në studion e lajmeve në “Ora News”, komentoi dhe emrat që po diskutohen për përbërjen e kabinetit të ri qeveritar.
“Hristijan Mickoskie rikthen në pushtet pas 7-8 vitesh VMRO-DPMNE-në dhe befasia që është shkaktuar në këtë është caktimi në dy role të Ivan Stolkoviçit që është dhe kryetar i një partie minore serbe në RMV. Ai është i njohur për lidhjet e tij me presidentin aktual të Serbisë Vuçiç dhe liderin e serbëve të Bosnjës, Dodik.
Shtoi kësaj edhe faktin se ai njihet në skenën politike të vendit edhe si një politikan pro Putinit dhe kjo e vë në pozitë të vështirë kryeministrin Mickoski, edhe pse do të ketë në aleancë grupimin VLEN që është dhe mbështetëse e kryeministrit Albin Kurti në Kosovë”, u shpreh analisti Seladin Xhezairi.
Hristijan Mickoski mori mandatin më 6 qershor, dhe ka 20 ditë afat për të formuar qeverinë e re.