Reciprociteti për targat, vazhdon bllokimi i rrugës afër pikës kufitare në Jarinjë

Mëngjesi i së martës (21 shtator) e ka gjetur të bllokuar rrugën në pikën kufitare në Jarinje.
Forcat e Policisë së Kosovës kanë qëndruar në gatishmëri gjatë gjithë natës, pas protestave lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës, për masë reciprociteti për targat e veturave të regjistruara në Serbi, që hyjnë në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi dje nga Kuvendi i Kosovës, se ky vendim nuk është marrë me dëshirë të Kosovës, por është imponuar nga “pala tjetër”.
Por, me të nisur zbatimi i kësaj mase të hënën, qytetarët serbë bllokuan rrugët në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë, si shenjë pakënaqësie.
Sipas vendimit, veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës. Këto targa të përkohshme po u vendosen veturave në xhama para dhe prapa.
Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se autoritetet në Prishtinë po demonstronin forcë dhe se ata kishin interpretuar sipas dëshirës së tyre Marrëveshjen e Brukselit kur njoftuan për zbatimin e reciprocitetit për targat e automjeteve.
Vuçiç e ka përshkruar situatën në Kosovë si “një nga ditët më të vështira për popullin serb në Kosovë”.
Disa orë pas deklaratave të Vuçiçit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se vendimi për reciprocitet në çështjen e targave të automjeteve me Serbinë është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u kanë bërë thirrje të dyja palëve që të ndërmarrin masa, në mënyrë që të ulen tensionet në veri të Kosovës.
Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.


