Qytetarët në Kosovë me mendime të ndryshme se kush do t’i fitoj zgjedhjet e 9 shkurtit

Qytetarët e Kosovës kanë bindje të ndryshme se kush do ta udhëheqë vendin pas 9 shkurtit, kur edhe do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë.
Disa vlerësojnë që kryeministri aktual i cili është edhe kandidat nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti do të vazhdoj të qëndroj në këtë pozitë, por të tjerë konsiderojnë se duhet të rikthehen partitë opozitare në pushtet.
Qytetari i komunës së Podujevës, Bejtush Namani beson që edhe një mandat për të qeverisur me vendin do ta fitoj Lëvizja Vetëvendosje.
Madje, ai thotë se po të kishte mundësi partitë e tjera asnjëherë nuk do t’i rikthente në pushtet.
Por, ndryshe nga Namani, Ilmi Mulliqi po ashtu qytetar i Podujevës fitues në zgjedhjet e 9 shkurtit e sheh Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
“Unë LDK-në e zgjedhi fituese. Punon më mirë dhe kontribuon më mirë, na e pamë se çka bëri për katër vjet”, ka thënë Mulliqi.
E për Fazli Ukën, ish luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është me rëndësi se kush do të jetë fitues i këtyre zgjedhjeve.
Se Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdoj edhe një mandat qeverisës e thotë edhe ish i burgosuri politik nga komuna e Obiliqit, Rasim Thaçi.
Por, mendim tjetër ndan Nasuf Gashi po ashtu nga komuna e Obiliqit. Duke e konsdieruar si partinë më të mirë, Gashi beson se fituese në këtë garë zgjedhore do të jetë Partia Demokratike e Kosovës.
“Ma merr mendja që ka me fitua PDK-ja...Se PDK është më e mira”, thotë ai.
Fushata për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë ka filluar, më 11 janar, ndërkaq, zgjedhjet mbahen më 9 shkurt. Në garë për këto zgjedhje janë 28 subjekte politike.

