Protesta pro UÇK-së në Shkup në 13 dhjetor, Haklaj: Shpresojmë të kemi një pjesëmarrje të lartë
I ftuar në studion e lajmeve në “Ora News”, ish-deputeti Azgan Haklaj bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e 13 dhjetorit në Shkup, duke theksuar se kauza synon sensibilizimin ndërkombëtar për drejtuesit e UÇK-së të mbajtur në Hagë dhe mbrojtjen e dinjitetit të luftës çlirimtare.
" Është një protestë më datë 13 dhjetor në orën 13:00 në sheshin Skëndërbej në Shkup. Shpresojmë dhe besojmë që mijëra vetë nga gjithë trojet etnike të kombit Shqiptar t'i bashkangjiten thirrjes së organizatave të dala nga lufta në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut për të realizuar një protestë madhështore, për të sensibilizuar opinionin ndërkombëtar për një ngjarje shumë të rëndë sepse kaluan 5 vite që disa nga drejtuesit e Uçk-së mbahen padrejtësisht në Hagë me disa akuza absurde si ndërmarrje e përbashkët kriminale.
Është bërë një protestë në Prishtinë, në Hagë, në Tiranë që është një ndër protestat më të mëdha në historinë e njerëzimit dhe një protestë e madhe në Strasburg.
Shpresoj që edhe në Shkup do të kemi një pjesëmarrje masive tashmë në përkrahje të UÇK-së sepse nuk bëhet fjalë për disa lidera që ndodhen në Hagë por bëhet fjalë për njëllosjen e UÇK-së", u shpreh Haklaj.

