Protesta në Athinë për Maduron/ Aktivistë kundër politikës amerikane pas arrestimit të presidentit venezuelian
Dhjetëra protestues u mblodhën përpara Ambasadës së SHBA-ve në Athinë. Ata kundërshtuan arrestimin e presidentit venezuelian Nicolás Maduro dhe politikën amerikane ndaj Venezuelës, që e cilësuan si ndërhyrje e jashtme. I bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndalë presionin politik apo ekonomik ndaj Venezuelës.

Dhjetëra protestues u mblodhën mbrëmjen e së shtunës përpara Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Athinë për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj politikës amerikane dhe asaj që ata e cilësuan si ndërhyrje në punët e brendshme të Venezuelës, pas arrestimit të presidentit Maduro.
Demonstrata u organizua nga grupe aktivistësh dhe organizata të majta, të cilët mbajtën pankarta dhe brohoritën slogane kundër imperializmit dhe politikës së jashtme të Uashingtonit.
Protestuesit kërkuan respektimin e sovranitetit të Venezuelës dhe i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndalë në çdo formë presionin politik apo ekonomik ndaj këtij vendi.
Gjatë tubimit situata u tensionua për disa minuta kur një grup demonstruesish dogji flamurin amerikan, veprim që u shoqërua me thirrje proteste dhe reagime të forta simbolike kundër SHBA-ve.
Sipas autoriteteve protesta u zhvillua kryesishtë në mënyrë paqësore dhe nuk u raportuan përplasje serioze apo arrestime.
Protesta të ngjashme janë zhvilluar edhe në qytete të tjera europian si shenjë solidariteti me popullin venezuelian, që po përjeton një situatë tensionesh politike dhe ekonomike.


