Plagosja e serbëve në Shtërpcë nga ushtari i FSK-së, policia e Kosovës: Është tentativë vrasjeje
Policia e Kosovës ka publikuar raportin 24 orësh të ngjarjeve të datës 6 janar, përfshirë edhe incidentin e ndodhur në Shtërpcë, ku kanë mbetur të plagosur dy të rinj serbë me armë zjarri.
Rastin e kanë cilësuar si “tentativë vrasjeje”, ndërkohë kanë treguar se personi i dyshuar është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit dhe se është konfiskuar edhe një armë.
Për dy të plagosurit, Policia tregon se janë dërguar për trajtim mjekësor dhe sipas raportit të mjekut janë jashtë rrezikut për jetë.
“TENTIM VRASJE Fsh. Gotovush, Shtërpcë 06.01.2022-14:20 Dy viktimat meshkuj kosovarë janë plagosur nga të shtënë me armë zjarri. Viktimat janë dërguar në tretman mjekësor dhe të njëjtit sipas raportit mjekësor janë jashtë rrezikut për jetë. Në lidhje me rastin është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar. Nga i dyshuari është konfiskuar një revole. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Si ndodhi ngjarja?
Dy të rinj serbë u qëlluan me armë zjarri një ditë më parë në afërsi të Shtërpcës në Kosovë, nga një makinë në lëvizje. Dy kushërinjtë Stefan Stojanoviç, 11 vjeç, dhe Millosh Stojanoviç 21 vjeç, u plagosën nga pjesëtari i FSK-së (Forcat e Sigurisë së Kosovës), Azem Kurtaj, i arrestuar si autor i dyshuar i plagosjes. Sipas mediave serbe ato u qëlluan teksa ishin duke ecur në anë të rrugës dhe mbanin pemën e Krishtlindjes, kur sulmuesi hapi zjarr ndaj tyre.

