“Nuk do ta njohim Kosovën”, Petkoviç: Albin Kurti po përpiqet t’i bëjë presion presidentit Vuçiç
Qeveria serbe është e vendosur të mos e njohë asnjëherë pavarësinë e Kosovës, por nuk e fsheh shqetësimin për serbët që jetojnë atje. Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç akuzon kryeministrin Kurti, i cili sipas tij po përpiqet që të bëjë jetën e popullit serb në Kosovë të mjerueshme.

Serbia është e vendosur që të mos e njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, ka deklaruar se pavarësisht se nuk do të ketë një njohje të shtetit tqë Kosovës, Beogradi duhet të mendojë për serbët që jetojnë në veri.
Në një intervistë për Radio Televizioni Serb, Petkoviç u shpreh se Serbia mbështet paqen dhe sigurinë në rajon, por sipas tij situata në Kosovë nuk është aspak e thjeshtë.
Kjo deklaratë i referohet afrimit të afatit për riregjistrimin e automjeteve.
Lidhur me këtë, Petkoviç akuzoi Kryeministrin Albin Kurti, i cili sipas tij, po përpiqet që të bëjë jetën e popullit serb në Kosovë të mjerueshme, të destabilizojë situatën dhe të bëjë presion mbi presidentin Vuçiç dhe Beogradin.
Nga ana tjetër, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se së fundmi ka pasur një bisedë me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, Kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe përfaqësuesin e BE për dialogun mes Prishtinës e Beogradit Miroslav Lajçak, si dhe ka bërë me dije se prej tyre ka marrë një propozim për një kornizë krejtësisht të re për bisedimet në Bruksel.
Media serbe Danas raporton se Vuçiç u shpreh se propozimi duhet të çojë në zgjidhjen përfundimtare të problemit dhe të gjitha çështjeve të pazgjidhura që lidhen me Kosovën.

