Negociatat hapen nën presidencën çeke. Praga fokusohet seriozisht në Ballkanit Perëndimor
Presidenca çeke e Bashkimit Evropian e cila sapo ka marrë mandatin 6-mujor është zotuar që t’i sigurojë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut hapjen e negociatave brenda këtij muaji. Përparim pritet të ketë edhe në drejtim të liberalizimit të vizave për Kosovën.

Një diplomat i lartë i Bashkimit Evropian ka njoftuar se unioni do ta ketë Ballkanin Perëndimor në fokus të veçantë në 6 muajt e ardhshëm.
Në 1 korrik, Republika Çeke ka marrë stafetën nga Parisi për të drejtuar Këshillin Evropian të BE-së deri në 1 janar.
Çekia shpreson që gjatë presidencës së saj të ketë edhe përparim konkret rreth Ballkanit Perëndimor të nisin negociatat e anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe të përmbyllet procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën.
Sa i përket liberalizimit të vizave me Kosovën, Çekia, sipas burimeve diplomatike, është e gatshme që këtë vendim ta vendosë në rend të ditës, sapo të vërtetohet se ka gatishmëri nga vendet anëtare për heqjen e vizave.
Njësoj si paraardhësja e saj, Franca, Çekia do të fokusohet te çështjet dhe pasojat që kanë të bëjnë me luftën në Ukrainë dhe sigurinë e furnizimit me energji.
Burimet diplomatike nga Brukseli bëjnë me dije se si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, procesi i zgjerimit në rajonin tonë është më i rëndësishëm se kurrë.
Zakonisht, shtetet që marrin kryesimin e BE-së i përgatisin prioritetet e tyre disa vite më herët, por ndryshimet e rrethanave bëjnë që edhe prioritetet të ndryshojnë.
Kështu, Çekisë i imponohen si prioritete menaxhimi i krizës së refugjatëve nga Ukraina; vazhdimi i ndihmës për Ukrainën, për t’u përballur në secilin aspekt me agresionin e Rusisë; siguria e furnizimit me energji, që nënkupton zvogëlimin e varësisë nga Rusia; forcimi i qëndrueshmërisë së ekonomisë në BE dhe forcimi i institucioneve demokratike.
Kjo është hera e dytë që Çekia merr kryesimin e BE-së qëkur është bërë anëtare e bllokut në vitin 2004.
Herën e parë, ky shtet ka kryesuar në vitin 2009. Gjatë kryesimit të atëhershëm, Qeveria çeke është rrëzuar, por kryesimi i vendit me BE-në është vlerësuar si i suksesshëm.


