Mijëra qytetarë mbushin rrugët e Serbisë, kërkojnë largimin e Vuçiçit
Qytetarët dhe aktivistët serbë bllokuan urën e Varadinit në Novi Sad si një akt “mosbindjeje civile” pas vdekjes së 14 personave nga shembja e strehës së betonit të Stacionit Hekurudhor në këtë qytet më 1 nëntor.
Ata i bëjnë thirrje qeverisë për përgjegjësi dhe kërkojnë dorëheqjen e kryetarit të Komunës së Novi Sadit, Milan Gjuriç, dhe kryeministrit të Serbisë, Milos Vuçeviç, sjelljen para drejtësisë së përgjegjësve, si dhe heqjen e klasifikimit të kontratës për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor.
Pjesëmarrësit e protestës, të udhëhequr nga organizatorët, po lyejnë urën me ngjyrë të kuqe, duke lënë gjurmë të “duarve të përgjakura”, shkruan nova.rs.
Me ngjyrë të kuqe, ata kanë shkruar mbi urë mesazhe kundër presidentit serb, Aleksandar Vuçiçit – “pushteti absolut, përgjegjësi absolute”, “vitet e heshtjes përfundojnë me një minutë heshtje” si dhe “duart e tua janë të përgjakura”.
Gjatë protestës, përmes altoparlantëve dëgjohen deklaratat e zyrtarëve serbë gjatë hapjes së Stacionit Hekurudhor në Novi Sad pas rindërtimit, si dhe deklaratat e tyre pas tragjedisë.
Stacioni Hekurudhor në Novi Sad u hap solemnisht në muajin korrik të vitit 2024, pas një rindërtimi trevjeçar.
Shkaqet e shembjes së tendës prej betoni të Stacionit Hekurudhor në Novi Sad ende nuk dihen.
Deri më 5 nëntor, Prokuroria e Lartë në Novi Sad ka marrë në pyetje 48 persona, përfshirë ish-ministrin e ndërtimit, drejtorin e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës në Novi Sad, përgjegjësit në “Hekurudhat e Serbisë” dhe “Infrastrukturën e Hekurudhave të Serbisë”, si dhe përgjegjësit për ekzekutimin e punimeve për shkak të aksidentit të 1 nëntorit. Punimet u kryen nga konsorciumi kinez CRIC&CCCC (“China Railëay International Co. Ltd” dhe “China Communications Construction Company Ltd”).