Mbi 300 vëzhgues të akredituar për zgjedhjet në komunat veriore të Kosovës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar rreth 360 vëzhgues për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen të dielën në veri të vendit.
Numri i vëzhguesve që përfaqësojnë subjektet politike është 75, në emër të organizatave jo-qeveritare numri është 109, ndërsa dy vëzhgues përfaqësojnë një ambasadë.
Për këtë proces zgjedhor janë akredituar edhe një numër i mediave vendore dhe ndërkombëtare, me më shumë se 170 përfaqësues.
Sipas KQZ-së funksionalizimi i kontejnerëve që do të shërbejnë si qendra të votimit do të marrë kohë deri të shtunën.
Kryeshefi i Sekretariatit, Burim Ahmetaj, ka bërë të ditur se dje ka përfunduar shtypja e fletëvotimeve dhe sot ato do të dërgohen në depo qendrore të KQZ-së.
Ai ka thënë se për votim përmes postës kanë pranuar vetëm një aplikim nga Gjermania, por që deri sot nuk është dërguar ndonjë zarf me fletëvotim nga ky votues.
“KQZ do të dërgojë ekipe për monitorimin e zgjedhjeve në katër komuna dhe kjo sigurisht që do të bëhet dhe do të miratohet në mbledhjen e ardhshme do të miratohet përbërja e ekipeve të cilat do t’i monitorojnë zgjedhjet në katër komunat. Në lidhje me shtypjen e vendvotimeve pra SKQZ e ka mbikëqyr procesin e shtypjes dhe printimin e fletëvotimeve që është bërë në Pejë më datën 17 prill, ka filluar procesi i shtypjes së fletëvotimit dhe broshurave dhe ka përfunduar me datën 19 prill pra ditën e djeshme ka përfunduar edhe shtypja e fletëvotimeve. Pas shtypjes ka përfunduar procesi i paketimit dhe pritet të përfundoj gjatë ditës së sotme kur do të bëhet edhe transportimi në depon qendrore të KQZ-së“, u shpreh ai.Sipas Ahmetaj përveç një tubimi politik nga Lëvizja Vetëvendosje raportet e KKZ-ve dhe Policisë së Kosovës tregojnë se nuk janë mbajtur tubime tjera.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi është interesuar të dijë se a janë vendosur qendrat alternative për votim në komunat ku do të zhvillohet procesi zgjedhor.