Lulzim Veliu: Kosova po mbetet prapa, ja dy rreziqet e mëdha që i kanosen
Kosova ndodhet në një ngërç politik serioz, me zgjedhjen e presidentit të ri që mbetet peng i mungesës së konsensusit mes palëve politike. Kjo situatë jo vetëm që rrezikon ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, por po frenon proceset integruese dhe e ekspozon atë ndaj sfidave të sigurisë në një kontekst të tensionuar ndërkombëtar.
Në një analizë të situatës aktuale në hapësirën “Për Shqiptarët” në “Ora News”, Lulzim Veliu theksoi se deri më tani nuk ka pasur asnjë lëvizje konkrete apo thirrje nga ana e kryeministrit Albin Kurti për të arritur një marrëveshje për një kandidat të pranueshëm për të gjitha palët.
Pavarësisht se qeveria gëzon një shumicë të qëndrueshme me 67 mandate në Kuvend, e aftë për të miratuar ligje, pa zgjidhjen e çështjes së presidentit, Veliu u shpreh se vendi rrezikon të hyjë sërish në një cikël zgjedhjesh të panevojshme.
Ky bllokim institucional vjen me një kosto të lartë. Sipas Veliut, Kosova "ka mbetur shumë prapa" në procese të shumta, veçanërisht në agjendën e integrimit evropian, pas një viti pa institucione funksionale.
Vonesa në formimin e plotë të institucioneve konsiderohet një pengesë e madhe për progresin e vendit.
Përtej sfidave të brendshme, situata ndërkombëtare e bën edhe më urgjente nevojën për stabilitet.
Duke iu referuar konflikteve globale, analisti tërheq vërejtjen se bota po përballet me zhvillime të rrezikshme, të papara që nga Lufta e Dytë Botërore. Në këtë kontekst, një Kosovë me institucione të brishta është më e ekspozuar.
Në këtë kuadër, është diskutuar edhe pozicionimi gjeopolitik i Kosovës, veçanërisht vendimi për dislokimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në misione paqeruajtëse. Ky veprim shihet si pozicionimi i duhur dhe një akt strategjik në linjë me politikat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Për vende të vogla si Kosova dhe Shqipëria, ky rreshtim konsiderohet thelbësor, pavarësisht qëndrimeve jo plotësisht të njëjta të disa vendeve të Bashkimit Evropian.
Pjesëmarrja në këto misione shihet si përmbushje e premtimeve të dhëna në kuadër të angazhimeve për paqen globale.
Lulzim Veliu u shpreh se Kosovës i duhet të dalë sa më shpejt nga ky ngërç për të garantuar funksionalitetin e plotë institucional, për të përshpejtuar reformat e ngecura dhe për të forcuar pozicionin e saj në arenën ndërkombëtare.


