Lavrov anulon vizitën në Serbi. RMV, Bullgaria dhe Mali i Zi mbyllin hapësirën ajrore për avionin rus

Lavrov anulon vizitën në Serbi. RMV, Bullgaria dhe Mali i Zi mbyllin

Avioni i ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov është futur në listën e zezë të fqinjëve të Serbisë, ndërsa kryediplomati kishte planifikuar të vizitonte Beogradin të hënën.

Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi mbyllën hapësirën ajrore për fluturimin e avionit që supozohej të vinte nga Moska në Beograd.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Në vend të planit për vizitën e paralajmëruar të shefit të diplomacisë ruse, Presidenca e Serbisë njoftoi takimin e presidentit Aleksandar Vuçiç me ambasadorin rus në Beograd Aleksandar Boçan Karçenko.

Vizita e kryediplomatit në shtetin pro-rus do zhvillohej në datat 6 dhe 7 qershor.

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut konfirmoi se Shkupi refuzoi kërkesën e Ambasadës ruse për të shfrytëzuar hapësirën ajrore për aeroplanin e ministrit të Jashtëm rus.

Rusia i kërkoi Shkupit leje për fluturimin, megjithëse Maqedonia e Veriut e ka mbyllur hapësirën ajrore që prej 28 shkurtit në kuadër të sanksioneve anti-ruse për luftën.

Edhe presidenti Vuçiç dhe kryeministrja e vendit Ana Brnabiç thanë ditë më parë se hapësira ajrore do e bënte vizitën e kryediplomatit të vështirë për t’u realizuar.

Sergej Lavrov dhe presidenti Putin prijnë në listën e sanksioneve të vendeve perëndimore që pas 24 shkurtit.

Vendet e vetme në të cilat ata mund të udhëtojnë në Evropë janë Bjellorusia, Moldavia, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Në Serbi, sipas agjendës së mëparshme, Lavrov do të takohej me presidentin Vuçiç, homologun e tij serb, Nikolla Sellakoviç, kreun e Kuvendit, Ivica Daçiç dhe me kreun e Kishës Ortodokse, patriarkun serb Porfirije.

EMISIONET