Kurti: Jemi paralajmëruar për mundësinë e zvogëlimit të mbështetjes ndërkombëtare
Kryemistri Albin Kurti e pranoi se ashtu si presidenti serb është paralajmëruar me zvogëlim të mbështetjes ndërkombëtare në rast se nuk tregohet konstuktiv në bisedimet mes Prishtinës e Beogradit. Kryeministri i Kosovës zbuloi për Radion Europa e Lirë se nuk është ftuar në takimin e Ambasadës amerikane në Prishtinë për Asociacionin.
Albin Kurti e pranon se ashtu si Aleksandër Vuçiç në Beograd është paralajmëruar me pasoja në rast se nuk tregohet kontruktiv në bisedimet Kosovë-Serbi.
Albin Kurti: Shikoni, nuk kemi diçka konkrete. Por, mund ta kenë thënë në mënyrë implicite ose të aluduar që mbështetja për Kosovën që pritet, nuk do të mund të jetë e tillë nëse Kosova nuk, le të themi... nuk cilësohet si konstruktive. Mirëpo, ne jemi shumë konstruktivë, përveç që jemi të përkushtuar dhe kreativë.
Kryeministri i Kosovës me tej në një interviste për Radion Evropa e Lirë zbuloi se nuk është ftuar në një takim të organizuar nga Ambasada amerikane në Prishtinë më 31 Janar, për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe .
Albin Kurti: Unë nuk jam ftuar në atë takim, por ata që janë ftuar, le të shkojnë në atë takim dhe le ta diskutojnë. Por, po e ritheksoj, nga 33 marrëveshjet e Brukselit nuk bën të zgjidhet njëra sepse nuk ka hierarki. Nuk mund të krijohen hierarki artificiale, përveç rendit kronologjik. Ndërkaq, në anën tjetër, edhe nga propozimi i Bashkimit Evropian nuk mund të përzgjidhet vetëm ndonjë nen, i cili mendohet që e përfshin Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Është i bindur se takimi është pasojë e insistimit të të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Albin Kurti: Unë besoj që ky takim është pasojë e insistimit të zyrtarit të Departamentit të Shtetit amerikan, i cili është edhe emisar special për Ballkanin dhe i cili ka deklaruar që, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, Asociacioni duhet të bëhet. Unë kam pritur që ai në Beograd do të deklarojë që, pavarësisht presidentit të Serbisë, Serbia duhet ta njohë Kosovën në vend se në Prishtinë të thotë, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, duhet të bëhet Asociacioni.
I pyetur planin europian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë –Serbi, Kurti tha se ai nuk është prezantuar në formën mere ose lerë, por si plarformë diskutimi.
Albin Kurti: Padyshim që për neve çfarëdo marrëveshje që nuk e ka njohjen reciproke në qendër, nuk është marrëveshje e normalizimit të plotë dhe në anën tjetër, nuk pretendohet me propozimin e Bashkimit Evropian që të kemi një marrëveshje finale. Ajo as nuk quhet marrëveshje finale dhe unë besoj me të drejtë nuk quhet, meqenëse duhet të ketë bisedime. Ajo është platformë e përbashkët për bisedime. Nuk është version përfundimtar i llojit ‘merre ose lëre’. As neve, as në Bruksel, as në Prishtinë nuk është thënë kësisoj.
Kryeministri i Kosovës thotë se pret dialog intensiv me Serbinë, në mënyrë që të mund të arrihet një marrëveshje sipas afatit të përmendur kohor që marsi i vitit 2023.