Kosovë/ Ligji për meritokracinë në diplomaci, qeveria kërkon ndryshim të kuotave në favor të karrierës

Kosovë/ Ligji për meritokracinë në diplomaci, qeveria

Qeveria e Kosovës do që ta prishë barazinë aktuale në kuotat për diplomatët, për t'i dhënë përparësi karrierës dhe jo emërimeve politike.

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit e ka propozuar këtë për arsye meritokracie, siç e thotë edhe deputeti i saj, Haki Abazi, njëherësh kryetari i Komisionit parlamentar për Punët e Jashtme.

“Tentimi është që të largohen gjitha anomalitë që ka pasur ligji i kaluar, të largohen gjitha paqartësitë që kanë ekzistuar në kaluarën. Kur po flas për barazinë, ideja është që të kalojmë prej 50-50, në 70-30. Shtatëdhjetë diplomatë karriere, tridhjetë për qind të nominuar prej çelësit politik. Të zvogëlohet mundësia që politika të ndikojë në anën e ekspertizës së diplomatëve. Jo vetëm që dikush është i afërt me qeverinë dhe institucionet që në atë kohë gjinden në pushtet të merr të drejtën të shkojë si diplomat. E drejta është se njerëzit e zotë të hynë brenda sistemit dhe brenda sistemit.”

Projektligji për diplomatët është në hartim e sipër dhe pritet të miratohet me vonesë pasi ishte folur për në qeshor.

Edhe Naser Shamolli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike e mbështet uljen e kuotës për diplomatët politikë.

“Në këtë moment ndoshta duhet të zbritet në raport 70 me 30 për qind. Kjo i bie që 70 për qind të emërohen nga brenda përmes zhvillimit në karrierë, ndërsa 30 për qind të jenë të emëruar politikë. Me synimin që të ardhmen kjo kuotë të zvogëlohet edhe më shumë për të siguruar më shumë profesionalizëm sesa emërime politike që janë deri tani.”

Shamolli shton se Kosova ka ngritur disa kuadro të karrierës që pas themelimit të shërbimit të jashtëm në vitin 2008.

Qëllimi mbetet avancimi i tyre përmes mëritës në misionet diplomatike.

“Shërbim i jashtëm është relativisht i ri dhe është themeluar në vitin 2008. Ky diskutim edhe duhet të bëhet, por gradualisht kapacitetet janë ndërtuar brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe duhet të hapet mundësia që njerëzit nga brenda të dëshmohet dhe avancohen përmes sistemit të meritës dhe të njëjtit të shpërndahen në misione diplomatike. Në anën tjetër, nuk rekomandohet që të shkohet dhe të behën zgjidhje me të ngarkuar me punë, pasi ata nuk janë efektiv dhe në pikëpamje ligjore. Gradualisht përmes rekrutimit të ri që duhet të bëhet paralelisht, njëjtën kohë të bëhet edhe zhvillimi dhe gradimi i kuadrove që janë brenda MPJ-së.”

Ligji aktual për Shërbimin e Jashtëm të Kosovës përcakton që kuota e diplomatëve politikë dhe të karrierës të jetë 50 me 50 për qind.

Edhe më parë ligji është tentuar të ndryshohet, por nuk është realizuar./Ora News/

EMISIONET