KOSOVA MBAN ZI/ Përcillet në banesën e fundit efektivi i policisë që u vra gjatë sulmit terrorist në Veri
Kosova sot është në ditë zie, pas vrasjes së efektivit të policisë Afrim Bunjaku, gjatë sulmit terrorist në veri të vendit.
Mbrëmë fshati Samadrexhë i Vushtrrisë ka njoftuar se polici i vrarë do të varroset sot në orën 16:00 në varrezat e fshatit Samadrexhë.
“I njoftojmë të gjithë bashkëvendasit dhe të gjithë popullin e Kosovës se nesër, ditë e hënë, nga ora, 16:00, në varrezat e fshatit Samadrexhë, me nderime shtetërore, do të bëhet varrimi i policit të rënë në detyrë, bashkëvendasi ynë, Heroi, Afrim Bunjaku”, thuhet në njoftim.
Përveç Bunjakut, dje në Veri është plagosur edhe një polic ndërsa dy janë lënduar.
Ky sulm është dënuar nga bashkësia ndërkombëtare.
Edhe Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot sërish për vrasjen e policit në Kosovë, teksa vendi e ka shpallur ditën e sotme ditë zie kombëtare.
Rama shkruan se përulet me nderim për efektivin Afrim Bunjaku, i cili dha jetën në krye të detyrës.
“Mirëmëngjes! Me përuljen me nderim për efektivin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili dha jetën në krye të detyrës”, shkruan Rama.