Kosova shpalli non grata dy zyrtarë rusë, reagon Moska: Nuk ju njohim, veprimi nuk ka fuqi ligjore

Ambasada ruse në Serbi ka reaguar në lidhje me shpalljen “non grata” të dy diplomatëve rusë nga ana e Republikës së Kosovës.
Ndonëse ajo nuk e ka njohur akoma pavarësinë e Kosovës, çuditërisht duket se veprimi i kësaj të fundit e ka prekur Moskën zyrtare.
Në reagim theksohet se vendimi i Prishtinës nuk ka fuqi ligjore.
“Ne nuk e njohim ‘pavarësinë’ e Kosovës dhe në përputhje me rrethanat, ‘qeverinë’ rajonale dhe strukturat e tjera.
Për ne asnjë vendim i Prishtinës nuk ka fuqi ligjore”, thuhet në reagimin e Ambasadës ruse të Serbisë. Pasditen e 22 tetorit, presidentja Vjosa Osmani njoftoi shpalljen “non grata” të dy diplomatëve, të cilët kanë punuar në Zyrën Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Prishtinë.
Sipas saj ky vendim merrej për shkak se aktiviteti i tyre, ka cënuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Presidentja vjosa osmani në njoftimin e saj theksoi se institucionet e Kosovës janë të vendosura në luftën kundër ndikimit malinj të Federatës Ruse dhe satelitëve të saj në rajon, të cilët synojnë rrënimin e arritjeve të këtyre vendeve dhe të SHBA-ve, NATO-s, dhe BE-së.
Për këtë arsye, osmani theksoi se do të vazhdojë të bashkëpunojmë ngushtë me aleatët amerikanë dhe evropianë për ta parandaluar që Kosova dhe rajoni të jenë pre e ambicieve destablizuese të Federatës Ruse.
Rusia ka të hapur një Zyre Ndërlidhëse në Prishtinë që nga viti 2005.
О провокации Приштины в отношении российских дипломатов: https://t.co/bKfoj7Ww4k pic.twitter.com/goWfjkZNVl
— Russia in Serbia (@AmbasadaRusije) October 22, 2021
