KANALI IBËR-LEPENC DËMTOHET SËRISH/ Një vit pas sulmit të parë hetimet mbeten të paqarta

Fiks një vit pas shpërthimit të 29 nëntorit 2024, kanali strategjik Ibër-Lepenc është demtuar  sërish nga persona të paidentifikuar. Struktura u godit me mjete të forta në zonën e Zubin Potokut, ndërsa hetimet kanë nisur me prezencë të forcave të shumta sigurie. Për incidentin e kaluar ende nuk ka aktakuzë dhe mbetet i paqartë roli i Serbisë, që mohon çdo përfshirje.

KANALI IBËR-LEPENC DËMTOHET SËRISH/ Një vit pas sulmit

Një vit pas shpërthimit që tronditi veriun e Kosovës, kanali Ibër-Lepenc dëmtohet sërish.

Mediat raportojnë se struktura është goditur me mjete të forta, në zonën e Zubin Potokut. Forcat e sigurisë kanë rrethuar hapësirën, ndërsa autoritetet konfirmojnë nisjen e hetimit.

Ky është i njëjti kanal ku më 29 nëntor të vitit 2024 u vendos një sasi e madhe eksplozivi. Kosova atëherë e cilësoi sulmin “akt terrorist” dhe akuzoi Serbinë për organizimin e tij, akuza që Beogradi i mohoi menjëherë.

Shtetet e Bashkuara deklaruan se nuk ka prova që e lidhin drejtpërdrejt Beogradin me shpërthimin, por konfirmuan se agjentët e FBI-së u përfshinë në hetime.

Ndërsa një vit më pas, departamenti i Shtetit nuk jep përgjigje nëse hetimet vazhdojnë.

Prokuroria Speciale e Kosovës konfirmon se rasti mbetet nën hetim. Dhjetëra persona janë arrestuar, por vetëm dy vëllezër, Dragisha dhe Jovan Viçentijeviq, mbahen në paraburgim me akuzat për terrorizëm dhe dëmtim të infrastrukturës kritike.

Autoritetet pohojnë se në sulmin e vitit të kaluar u përdorën rreth 20 kilogramë eksplozivë dhe dëmi është vlerësuar në mbi 400 mijë euro.

Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë Prishtinën, veriun e Kosovës dhe termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës. Ekspertët e sigurisë theksojnë se çdo sulm ndaj tij prek drejtpërdrejt ujin e pijshëm dhe energjinë.

Duke folur për rrezikun e destabilizimit, ekspertët paralajmërojnë mundësinë e një “lufte hibride” në rajon, por thonë se prania e KFOR-it dhe NATO-s e bën të vështirë përshkallëzimin.

Në një periudhë zgjedhore dhe me klimë të brishtë politike, Kosova hyn në vitin e dytë të hetimeve, me pyetje ende pa përgjigje për atë që shihet si një nga sulmet më serioze ndaj infrastrukturës që nga lufta. Hetimet vazhdojnë, ndërsa siguria e ujit, energjisë dhe stabilitetit mbetet në qendër të interesit kombëtar.

EMISIONET