Sulmi në Ibër-Lepenc, Koçi: Kemi të bëjmë me një luftë të pashpallur të Serbisë ndaj Kosovës
Për analistin Melazim Koçi ajo çfarë ndodhi ditët e fundit në Veri të Kosovës është akti i dytë i sulmit terrorist të Serbisë ndaj Kosovës.
I pari, tha ai në një intervistë në studion e lajmeve në “Ora News”, është sulmi në shtatorit 2023 në Banjskë, dhe tashmë kemi të bëjmë me një luftë të pashpallur të Serbisë ndaj Kosovës.
“Kemi të bëjmë me sulm terrorist ndaj Kosovës dhe kemi të bëjmë me një luftë të pashpallur ndaj Republikës së Kosovës.
Vuçiç e pranoi që eksplozivi është i depove Serbe. Unë besoj se autorët janë arratisur në Serbi dhe ashtu siç ndodhi me sulmin e Banjskës, e njëjta gjë po ndodh edhe me këtë rast. Dhe ky është fillimi i fundit i Serbisë.
Serbia synon një krizë në Kosovë, qoftë reale apo qoftë edhe artificiale, sepse parashikoheshin shumë diskutime në tryezat ndërkombëtare si për Ukrainën, Rusinë, ku kjo e fundit është e interesuar që Kosova të mos përfaqësohet si e shkëputur nga Serbia përballë perëndimorëve.
Së treti me këtë akt, Serbia ka treguar dhe se mund ta shantazhojë lehtësisht Kosovën, si nga atentatet ashtu edhe me devijimin e ujërave që depozitohen në Ujman përmes lumit Ibër.
Ndryshimi apo devijimi i lumit Ibër ka qenë në tavolinën e Beogradit që në vitin 1984, dhe këtë e ka përdorur si shantazh ndaj Kosovës”, u shpreh në optikën e tij, analisti Melazim Koçi.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME ANALISTIN MELAZIM KOÇI



