“I dogjën të gjallë”, Oroshi: Serbia vrau 25 mijë shqiptarë në 1912-1913. Të përgatitet dosja për gjenocid

Nue Oroshi, historian dhe publicist, në nëntor të vitit të kaluar ka fituar kandidaturën brenda partisë së CDU-së për deputet në Asamblenë e Kielit.
Nue Oroshi prej vitesh drejton Shoqatën "Trojet e Arbrit", një Shoqatë e cila kontribuon prej vitesh në nxjerrjen në pah të vlerave të historisë së kombit tonë.
I ftuar në emisionin “Jeto me Orën” Oroshi i cili punon në Gjermani, nuk ka harruar edhe historinë e vendit tonë.
Ai tha se aktualisht po punojnë për të zbardhur masakrën e Serbisë në trojet shqiptare gjatë viteve 1912.
Nue Oroshi: Ne duhet t’i japim historisë sonë një realitet ashtu siç ka ndodhur dhe jo ashtu siç kanë dëshirë njerëzit të ketë ndodhur historia. Për këtë fakt jemi duke punuar shumë dhe puna që po bëjmë për momentin janë masakrat serbet në trojet shqiptare në vitin 1912. Është shumë e dhimbshme se sa shqiptarë janë vrarë. Në trojet shqiptare nga Serbia, për 4 muaj, prej periudhës kohore Nëntor 1912 dhe deri në fund të marsit 1913 janë vrarë 25 mijë shqiptarë. Metodat e vrasjes së shqiptarëve janë të tmerrshme. Digjen për së gjalli.
Ai shprehet ‘kritik’ ndaj institucioneve në Shqipëri dhe në Kosovë, që sipas tij nuk fokusohen te masakrat, në mënyrë që të përgatitin një dosje që Serbia ka kryer gjenocid.
Nue Oroshi: Është e dhimbshme se përse institucionet tona, qoftë në Shqipëri apo në Kosovë, nuk merren me këto masakra, pse nuk përgatitet një dosje gjenocidiale e Serbisë.

