Humbën jetën pasi konsumuan kërpudha, i jepet lamtumira e fundit tre anëtarëve të familjes Haliti nga Gjilani

Tre anëtarëve të familjes Haliti, që humbën jetën në Shqipëri, pasi dyshohet se u helmuan nga kërpudhat, janë përcjellë mesditën e sotme për në banesën e fundit.
Familjarët u kanë dhënë lamtumirën e fundit viktimave në varrezat e qytetit të Gjilanit, ku dhe janë varrosur.

Nëna, i biri dhe bashkëshortja e këtij të fundit dyshohet se u helmuan nga kërpudhat gjatë qëndrimit të tyre në Gjirin e Lalzit në Durrës, ku si pasojë humbën dhe jetën.
Ata kishin mbledhur kërpudhat në pyll dhe i kishin konsumuar, teksa më pas pasi ndjenë shqetësime u paraqitën në qendrën shëndetësore të Manzës. Duke qenë se gjendja shëndetësore e tyre u përkeqësua u nisën me urgjencë drejt Tiranës, ku për fat të keq nuk ia arritën të mbijetonin.
Ndërkohë familjarët e tyre pas vdekjes kanë hedhur akuza për neglizhencë nga mjekët në Shqipëri.



