Hiqet urdhërarresti për liderin separatist serb të Bosnjë-Hercegovinës, Dodik

Një gjykatë në Bosnjë-Hercegovinë pranoi dje propozimin e prokurorëve publikë për të rrëzuar urdhërarrestin e lëshuar për udhëheqësin separatist serb të Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik.
Gjykata në Sarajevë tha se nuk kishte më arsye për të mbështetur urdhërarrestin ndaj Dodik. Presidentit të Republikës Srpska (RS) të dominuar nga serbët, iu dha lirim me kusht.
Dodiku u paraqit në zyrën e prokurorit publik të Bosnjë-Hercegovinës – i shoqëruar nga avokati i tij dhe ra dakord të merrej në pyetje atje – përpara se të shkonte në gjykatë – ku prokurorët paraqitën propozimin e tyre për të rrëzuar urdhërarrestin.
Dodik kërkohej për përfshirje në aktivitete antikushtetuese që synonin minimin e rendit kushtetues të Bosnjë-Hercegovinës.
Gjykata lëshoi urdhërarrestin në mars – pasi Dodik nuk i ishte përgjigjur një thirrjeje të prokurorëve. Më pas, Dodik i tha transmetuesit rajonal të RS-së, RTRS, se kushtet ishin që ai do të duhej të paraqitej në polici në Laktasi, vendbanimin e tij në RS, çdo dy javë.
“Nuk ndihem si fitues, por thjesht i ngopur me sagën”, tha Dodik.
Në shkurt, Dodik u dënua me një vit burg për kundërshtimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë për Bosnjë-Hercegovinën, Christian Schmidt – i dërguari ndërkombëtar përgjegjës për mbikëqyrjen e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit – që i dha fund luftës në Bosnjë-Hercegovinë në vitin 1995.
Avokatët e Dodik kanë paraqitur një ankesë dhe çështja nuk është mbyllur ende. Dodik, një aleat i hershëm i presidentit rus Vladimir Putin, ka vite që bën përpjekje për shkëputjen e RS-së nga shteti boshnjak.
Bosnjë-Hercegovina, një ish-republikë jugosllave, u rivendos si shtet sipas Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit – pas luftës së viteve 1992-1995.
Që atëherë, dy pjesë të vendit, RS dhe Federata Boshnjako-Kroate (FBiH), kanë gëzuar autonomi të gjerë.

