Gjashtë diplomatë të tjerë rusë u shpallën të padëshirueshëm në Mal të Zi

Ministria e Jashtme e Malit të Zi ka njoftuar se ka shpallur persona non-grata, apo të padëshirueshëm, gjashtë diplomatë rusë të akredituar në Podgoricë.
Në postimin e saj në Twitter thuhet se ata shpallen non-grata “për shkak të veprimtarive që janë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike, si dhe me marrëdhëniet e vlerësimit dhe respektit të ndërsjellë mes dy vendeve”.
Pas kësaj Ambasada ruse në Mal të Zi njoftoi se për shkak të "sjelljes armiqësore të autoriteteve malazeze" ata do të pezullojnë punën e departamentit konsullor nga 30 shtatori.
“Në lidhje me sjelljen armiqësore të autoriteteve malazeze ndaj Ambasadës së Rusisë në Mal të Zi, puna e departamentit konsullor është pezulluar nga data 30 shtator për një periudhë të pacaktuar”, kanë shkruar ata në faqen e tyre zyrtare në Facebook.
Këto dëbime lidhen me aksionin e së enjtes të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të Malit të Zi (ANB) dhe Prokurorisë Speciale të Shtetit për hetimin e lidhjeve të dyshuara të disa shtetasve malazezë dhe rusë me shërbimet inteligjente të Federatës Ruse.
Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Ranko Krivokapiç, ka deklaruar se po bëhet arrestimi më i madh i spiunëve të dyshuar rusë në Mal të Zi.
Sipas tij, dhjetëra persona janë arrestuar në Podgoricë dhe aksioni po vazhdon ende.
Ai ka thënë se, marrë parasysh madhësinë e shtetit të Malit të Zi, ky është një nga aksionet më të mëdha të arrestimit në vendet e NATO-s.
Sipas informacioneve jozyrtare të Radios Evropa e Lirë, në aksionin e Agjencisë për Siguri Kombëtare dhe të Prokurorisë Speciale të Shtetit të Malit të Zi, në mesin e të arrestuarve ka edhe shtetas malazezë, përfshirë një zyrtar të administratës shtetërore, si dhe disa shtetas rusë.

