“Njohje e simboleve dhe dokumenteve” Gazeta serbe zbardh 10 pikat e planit franko-gjerman
Ndërsa SHBA dhe BE janë angazhuar në një fushatë diplomatike për të nxitur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, gazeta serbe “Danas” ka zbuluar detaje të versionit të fundit të planit franko-gjerman.
Sipas gazetës, aty thuhet se Kosova dhe Serbia nuk mund ta përfaqësojnë palë tjetër në sferën ndërkombëtare dhe njohin reciprokisht dokumentet përkatëse dhe simbolet kombëtare.
“Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”, thuhet shprehimisht në propozimin me dhjetë pika.
“Të dyja palët do t’i njohin reciprokisht dokumentet përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore”.
Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk përmendet konkretisht në këtë dokument, por themelimi i tij mund të arrihet në mënyrë indirekte, përmes anëtarëve të tjerë.
“Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato për të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën për vetëvendosje dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin.”
Po ashtu, në pikën 10 shkruhet: “të dyja palët konfirmojnë detyrimet e tyre për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të mëparshme”.
Në dokument theksohet se propozimi synon vijimin e procesit të dialogut, të udhëhequr nga BE-ja, duke çuar në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme dhe gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.
Në fund nënvizohet se për zbatimin e marrëveshjes palët do të krijojnë një komision të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja.