Erdogan: Kosova, në BE e NATO
Turqia zotohet të mbështesë Kosovën për rritjen e njohjeve ndërkombëtare, anëtarësimin në BE e NATO. Presidenti Erdogan i përcolli këtë qëndrim kryeministrit Kurti gjatë konferencës për shtyp në Stamboll, ku edhe i kërkoi të bëjë përpjekje shtesë per bashkëpunim kundër aktivitetit të grupit FETO në Kosovë.
Presidenti i Turqisë, Taip Erduan, ka deklaruar se Turqia shpreson se procesi i dialogut të Kosovës me Serbinë të përfundojë duke siguruar paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në rajon.
Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të mbajtur në Pallatin Vahdettin në Stamboll, Erdogan tha se vendi i tij pret që palët të shfaqin qasje paqësore dhe konstruktive.
Erdogan: Ne mbështesim dialogun Kosovë-Serbi dhe presim që palët të demonstrojnë një qasje paqësore e konstruktive. Shpresojmë që procesi i dialogut me Serbinë të përmbyllet duke siguruar paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm. Turqia është e gatshme të ofrojë çdo mbështetje të mundshme për qendrueshmeri ne Ballkan dhe të jap kontributin e nevojshëm nëse kjo kërkohet nga palët.
Erdogan garantoi mbështetjen e Turqisë për Kosovën në të gjitha drejtimet, duke përfshirë edhe një punë intensive për ta rritur numrin e njohjeve të pavarësisë.
Erdogan: Ne po vazhdojmë përpjekjet tona të përbashkëta për të siguruar që Kosova të arrijë pozicionin e merituar në arenën ndërkombëtare, kështu, ne mbështesim vizionin e Kosovës për anëtarësimin e saj në NATO, në Këshillin e Evropës dhe në BE”,
Erdogan ka thënë se i ka kërkuar Kurtit që të rrisë bashkëpunimin me Turqinë kundër aktiviteteve të grupit FETO në Kosovë.
Ndërkohe Kurti tha se Kosova është mirënjohëse për ndaljen e gjenocidit dhe ndërhyrjen e NATO-s.
Kurti: E falenderova presidentin Erdogan për përkrahjen e zëshme të Kosovës për anëtarësim në NATO dhe në Këshill të Evropës. Në NATO na bashkon orientimi në Këshill të Evropës, vlerat. Në të dyja na bashkon momenti kritik nëpër të cilët po kalon kontinenti i Evropës. Një nga synimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës është krijimi i një mjedisi për të tërhequr investitorët në mënyrë që të krijojmë ekonomi të qëndrueshme. Turqia është një ndër partnerët kryesor tregtar, kjo na gëzon por nuk duhet të na mjaftojë.
Kurti ka theksuar se komuniteti turk në Kosovë dhe ai shqiptar në Turqi, janë urë e fuqishme e lidhjes mes dy shteteve.
Gjatë takimeve ata kane biseduasr për çështje te bashkëpunimit ekonomik, tregtisë, industrisë, mbrojtjes dhe luftën kundër terrorizmit.
Turqia si vendi me eksportet më të larta në Kosovë, angazhohet për të çuar shifrën në 1 miliard euro.