Dyshohet se do sulmonin një restorant izraelit, këta janë dy pakistanezët e arrestuar nga Antiterrori grek

Mediat greke kanë publikuar fotot e dy pakistanezëve të akuzuar për formimin dhe anëtarësimin në një organizatë terroriste dhe që dyshohet se kishin planifikuar të sulmojnë një restorant izraelit, në Psyri.
Ata janë 27-vjeçari Syed Irtaza Haider, i cili jetonte në Zakynthos dhe 29-vjeçari Saki (Abid Hussain Saqi), i cili jetonte në Spartë.
Sipas raportimeve, Haider thuhet se kishte një rol drejtues, duke koordinuar ekipin që përbëhej nga 29-vjeçari dhe tre të tjerë.
27-vjeçari dhe 29-vjeçari ndodheshin ilegalisht në Greqi, i pari prej katër vitesh dhe i dyti prej 5 vitesh.
Dy të arrestuarit jetonin në fshat, duke punuar në bujqësi dhe ndërtim, ndërsa vinin në Athinë sipas nevojës, duke qëndruar në një kamp në Liosia.

