VIDEO/ ALARM për bombë në Kuvendin e Kosovës, deputetët nxirren jashtë

Policia ka kërkuar që deputetët ta lëshojnë Kuvendin e Kosovës, para seancës konstitutive të shtunën.

Lidhur me rastin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka bërë të ditur se mesazhi kërcënues është pranuar përmes SMS-it dhe se menjëherë pas kësaj, janë aktivizuar njësitë përkatëse policore.

“Sot, me datë 05.07.2025 në orët e paradites, është pranuar një informatë (me sms), për një kërcënim me mjet shpërthyes në objektin shtetëror të RKS-së. Me të pranuar informatën, janë angazhuar njësitë kompetente policore, të cilat fillimisht kanë bërë perimetrin e sigurisë dhe kanë evakuuar personat nga objektet”, tha Kelani.

Policia e Kosovës, ka njoftuar prokurorinë kompetente dhe hetuesit policorë të cilët së bashku me njësitë dhe ekspertët përkatës për deminim, janë duke marrë veprimet e duhura të kontrollit në objekt.

Sipas deputetit të PSK-së, Abelard Tahiri, ka dyshime për kërcënim me bombë aty.

Tahiri deklaroi se u është kërkuar nga autoritetet që të largohen menjëherë nga objekti.

“Një kërcënim me bombë. Nuk e dimë se çka po ndodhë, na kërkuan me dalë,” tha shkurt Tahiri para mediave.


Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka reaguar pas situatës së krijuar në Kuvendin e Kosovës, ku u raportua për një kërcënim me bombë, duke kërkuar nga organet e sigurisë që ta hetojnë rastin dhe ta identifikojnë personin përgjegjës.

Ajo ka thënë se hetimi dhe zbulimi i burimit të telefonatës është përgjegjësi e Policisë së Kosovës.

“Është në dorën e policisë me zbulu rastin edhe nga ka ardhur ajo n’telefonat. Sepse nëse angazhohen, do të gjejnë se kush ka bërë këtë informatë,” tha Kadrijaj.


Pas kesaj ngjarjeje, seanca konstituive, e 42-a me radhë e planifikuar në ora 11:00 të shtunën, është shtyrë për në ora 20:00.

EMISIONET