Digjet edhe një veture me targa RKS në veri të Kosovës

Një tjetër veture me targa RKS i është vënë zjarri në zonën rajonale të Mitrovicës Veri njofton Policia e Kosovës.
Makina ishte pronë e një gruaje kosovare e komunitetit serb, me banim në komunën e Zveqanit.
Lidhur me rastin nuk raportohet për ndonjë person të lënduar, përveç dëmeve materiale të shkaktuara nga vënia e zjarrit në automjet, përderisa Policia e Kosovës lidhur me rastin ka ndërmarr veprimet e nevojshme operativo hetimore.
Policia e Kosovës do të kujdeset në ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve pa dallime, në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe zbulimin e akteve të tilla kriminale.
Kjo nuk është hera e parë që i vihet flaka veturave me targa RKS.
Në fund të tetorit, në komunën e Leposaviçit ishin djegur dy vetura të tjera që kishin konvertuar targat në RKS.
Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, automjetet me targa ilegale të Serbisë mund të qarkullojnë rrugëve të Kosovës edhe pas 1 nëntorit.
Qeveria ka vendosur që nga kjo datë të ketë shkallëzim sanksionesh: në tri javët e para qortim; nga 21 nëntori për dy muaj rresht shqiptim gjobash; nga 21 janari targa provuese; e nga 21 prilli zbatim të tërësishëm të vendimit. SHBA-ja është shprehur e zhgënjyer me vendimin e Qeverisë, meqë kishte kërkuar shtyrjen e zbatimit të tij për 10 muaj.
