Dialogu Prishtinë-Beograd, Cramon: Pres afrim të qëndrimeve në të ardhmen

Dialogu Prishtinë-Beograd, Cramon: Pres afrim të qëndrimeve

Viola von Cramon, Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian mbajti këtë të martë një konferencë për mediet në Prishtinë.

Ajo tha se gjatë takimit me kryeministrin Kurti ka diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi, ndërsa pret afrim të qëndrimeve në të ardhmen në tavolinën e dialogut në Bruksel.

"Shpresoj që në javët e ardhshme do të shohim një ngushtim të pozicioneve, një afrim të pozicioneve," tha von Cramon.

Ajo u ndal edhe te korniza e negociatave në Bruksel, ku përgëzoi idetë e reja në tryezë, ndërsa theksoi se marrëveshjet ekzistuese kanë rëndësinë e tyre.

"Askush nuk është kundër ideve të reja, por natyrisht që nuk mund të jemi kundër marrëveshjeve ekzistuese," tha von Cramon.

Kosovës i është premtuar liberalizimi i vizave që nga viti 2011 dhe mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor ku qytetarët nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Shengen.

Raportuesja Cramon e cilësoi të gabuar vendimin e Francës për mosdhënie të dritës së gjelbër për këtë proces për Kosovën.

"Ka disa anëtarë ë këshillit që janë ende shumë skeptikë dhe hezitojnë," tha von Cramon.

Sa i përket marrëveshjes së Washingtonit të firmosur nga ish-kryeministri Hoti dhe Vuçiçi, zyrtarja evropiane tha se nuk është e sigurt nëse Bashkimi Evropian e përkrah atë marrëveshje, apo nëse administrata e Biden do të insistojë në implementimin e plotë të saj.

"Nuk jam shumë e sigurt nëse administrata e SHBA do të insistonte në implementimin e marrëveshjes së Washingtonit," tha von Cramon.

Më herët, zyrtarja e lartë evropiane ka pasur takime me liderë politikë në Kosovë dhe me përfaqësues të shoqërisë civile nga komuniteti serb në Mitrovicë, ku tha se veriu është pjesë integrale e Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.

 

EMISIONET