Detajet tragjike: Babai u përpoq t'i shpëtonte 4 fëmijët, por dera nuk hapej, vdesin nga asfiksia

Detajet tragjike: Babai u përpoq t'i shpëtonte 4

Katër fëmijë kanë humbur jetën mëngjesin e sotëm nga zjarri i tmerrshëm që ka shpërthyer në banesën e një familjeje gjashtë anëtarëshe në Novi Pazar, në rrugën “Kej 12-të e Brigadës Serbe”, ndërsa prindërit kanë pësuar lëndime të rënda.

Në vendngjarje kanë dalë menjëherë njësitet e shërbimit zjarrfikës, emergjenca dhe policia, por fatkeqësisht nuk ka mundur të shpëtojnë fëmijët.

Sipas informacioneve jozyrtare, fëmijët janë gjetur në një dhomë dhe dyshohet se kanë vdekur nga thithja e tymit.

Të vdekur janë gjetur binjakët tre vjeç, një fëmijë dy vjeç dhe një foshnjë gjashtë muajshe. Babai ka tentuar të hyjë në dhomën e fëmijëve nga tarraca, por nuk ka mundur të depërtojë derën, e cila ka ngecur.

Babai i fëmijëve, me origjinë nga Egjipti, ka pësuar djegie në 45 për qind të trupit, ndërsa nëna, boshnjake, ka pësuar djegie të shkallës së dytë dhe të tretë në 18 për qind të trupit.

Ende nuk dihet shkaku i zjarrit, ndërsa dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një ngrohës apo një sobë e lënë ndezur.

“Janë katër fëmijë të vegjël, e dini si shkon, gjërat lihen të thahen, ndoshta diçka ka marrë flakë dhe kështu ka rënë zjarri. Motra ime është e martuar me një egjiptian, ishte shtëpiake, ndërsa kunati punonte. Mëngjesin e sotëm ata ishin të dy aty, por fati deshi t'u merrte jetën fëmijëve të tyre dhe jeta e tyre u vu në pikëpyetje” - tha për mediat vëllai i nënës së fëmijëve të vdekur.

EMISIONET