Deputeti i LVV-së insiston: Kryetarët në komunat veriore do të qëndrojnë në objektet komunale

Deputeti i LVV-së insiston: Kryetarët në komunat veriore do

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, thotë se dy kryetarët nga radhët e tyre në komunat veriore, do të vazhdojnë të qëndrojnë në objekte komunale, pavarësisht protestave dhe kërkesave ndërkombëtare që ata të ushtrojnë mandatin e tyre në objekte të tjera publike.

Sipas tij, kryetar i komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq dhe kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, tashmë kanë filluar të ofrojnë shërbime për qytetarët dhe t’i zbatojnë detyrimet ndaj institucioneve të Kosovës.

Ai thekson për KosovaPress, se protestat në komunën e Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit, janë të organizuara nga grupet kriminale serbe dhe të dirigjuara nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

“Dy kryetarët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviq, do të qëndrojnë, ata janë të përkushtuar me qëndru (në objekte komunale) dhe me fillu menjëherë me ofru punë dhe shërbime ndaj qytetarëve por edhe me kry detyrimet ndaj shtetit të Kosovës. Kjo është qasja e tyre, filluan dje me pagesat e faturave të energjisë elektrike që nuk është paguar që 20 vite dhe pastaj do të fillohet me adresimin e sfidave lokale, parkingjet, infrastruktura lokale...Policia e Kosovës dhe kryetarët në asnjë moment nuk duhet të lëshojnë (objektin), unë jam i bindur e aty ka pak popullsi lokale, krejt veriu mund të jetë 40 mijë banorë. (Protestat) nuk vijnë prej popullsisë lokale, ata që i pamë dje nuk janë protestues, ata janë struktura apo agjentura e drejtpërdrejtë e Vuçiqit të ndërlidhura me shërbimin e sigurisë së Serbisë”, thotë ai.

Deputeti i mazhorancës kritikon Partinë Demokratike të Kosovës, e cila sipas tij, ka sugjeruar që kryetari i komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqirin dhe ai i Zveçanit, Ilir Peci të mos ushtrojnë detyrën e tyre në objektet komunale.

EMISIONET