Dëgjohen aleatët për dinarin, Banka Qendrore e Kosovës hap linjë telefonike falas për serbët
Banka Qendrore e Kosovës dëgjon thirrjet e aleatëve ndërkombëtarë për çështjen e dinarit. Për të dhënë informacione plotësuese dhe për ta bërë më të thjeshtë e të kuptueshëm për qytetarët e Kosovës, ky institucion ka hapur një linjë telefonike pa pagesë.
“Kjo linjë është e dedikuar për qytetarët nga komuniteti serb që jetojnë në Republikën e Kosovës dhe kanë nevojë të informohen drejt dhe konkretisht”, shkruhet në një njoftim.
BQK-ja risjell në vëmendje faktin se rregullorja e re nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në euro në bankat e liçensuara, nuk kufizon aktivitetin këmbimor në çdo valutë dhe nuk ndalon transferimet e parave nga asnjë shtet. Gjithashtu, sqaron se të gjithë individët mund të hapin llogari bankare në euro në çdo bankë dhe pa asnjë tarifë.