"Politikë sa për foto", Si përdoret Bujanoci nga Tirana e Prishtina

"Politikë sa për foto", Si përdoret Bujanoci nga Tirana

Bujanoci është një nga qytezat e Serbisë me shumicë shqiptare e cila nuk po gjen ndihmën e Shqipërisë, as të Kosovës përpara vështirësive e manovrave diskriminuese të Beogradit.

Situata e brishtë atje ka aspekte politike dhe ekonomike, dhe siç pranon kryetari i komunës, Nagip Arifi, po i detyron sikombësit e tij të shpërngulen jashtë për një jetë më të mirë.

“Është një situatë e brishtë në aspektin politik, por edhe ekonomik. Politik kur them, është sepse Serbia në mënyrë perfide shfrytëzon metoda të ndryshme për t’i shlyer qytetarët nga gjendja civile, sidomos në hapësirën e Bujanocit. Në aspektin ekonomik kemi probleme sepse prapë Serbia nuk ka vullnet që atë vend ta zhvillojë," tha Arifi.

Në kohë fushatash, politikanët e Tiranës dhe Prishtinës e përmendin ose e vizitojnë shpesh Bujanocin, si pjesë e Luginës së Preshevës që dikur synohet të jetë brenda kufijve shqiptarë.

I pari i Bujanocit thotë se deri tani fjalët e politikës shqiptare nuk janë vënë në veprim.

“Kurse për institucionet e Kosovës dhe të Shqipërisë, shumë pak ose aspak, nuk na ndihmojnë në aspektin financiar, por edhe në aspektin e zhvillimit ekonomik, përveç që vijnë disa delegacione të fotografohen, publikohen ato fotografi, por ndihmë konkrete nuk kemi," shtoi Arifi.

Pakicat shqiptare në Serbi ndihen pa perspektivë dhe Arifi shpreson që dialogu Kosovë-Serbi do arrijë ta avancojë çështjen e të drejtave të tyre.

“Ne nuk po kërkojmë as më shumë e as më pak, vetëm të përdoret parimi i reciprocitetit, atë që po iu garantohet serbëve në Kosovë, t’iu garantohet edhe shqiptarëve në Luginë të Preshevës apo në Serbi,” tha ai.

Zhvillimi i raporteve ekonomike Kosovë-Serbi, siç është edhe ndërtimi i autostradave lidhëse mes dy vendeve në kuadër të Marrëveshjes së Uashingtonit, shihet me pozitivitet nga kryekomunari i Bujanocit, por përfitimet Arifi i vlerëson më të mëdha për palën serbe.

"Të ndërtojmë ura dhe rrugë është një punë e mirë. Në shikim të parë, nëse përmendet të ndërtohet rruga nga Nishi në drejtim të Kosovës, qoftë përmes Mendares, apo nga Nishi përmes Bujanocit, Gjilanit e me radhë, është për ta përshëndetur. Por, duhet të analizohet se cili është qëllimi i Serbisë. Sigurisht që qëllimi i Serbisë është që sa më afër të ketë qasje në Detin Adriatik," tha Arifi.

EMISIONET