BE mobilizon rescEU për të luftuar një nga zjarret më të mëdha në Greqi

BE mobilizon rescEU për të luftuar një nga zjarret më

Për të luftuar atë që besohet të jetë një nga zjarret më të mëdha të regjistruara ndonjëherë në Greqi, Qendra e Koordinimit të Reagimit Emergjent të Komisionit mobilizoi 11 avionë zjarrfikës dhe një helikopter nga rezerva e rescEU, të stacionuar në gjashtë shtete anëtare.

Përveç kësaj, gjashtë vende evropiane kontribuan me gjashtë ekipe zjarrfikëse tokësore përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së.

Kjo u bë e ditur nga ekzekutivi evropian duke nënvizuar se ky është operacioni më i madh ajror i shuarjes së zjarrit i regjistruar ndonjëherë në BE. Mbi 81 mijë hektarë tokë janë djegur deri më tani në rajonin e Aleksandoupolit të Greqisë.

Ky është zjarri më i madhi në BE që nga viti 2000, kur Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje filloi regjistrimin e të dhënave.

Që kur Greqia aktivizoi Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së, për herë të dytë këtë verë, më 20 gusht, BE-ja dërgoi 11 avionë të stacionuar të shpëtimit nga zjarri, në Kroaci, Qipro, Francë, Gjermani, Spanjë dhe Suedi, një helikopter “Blackhawk” nga Republika Çeke, 407 zjarrfikës dhe 62 automjete nga Bullgaria, Qiproja, Republika Çeke, Franca, Rumania, Serbia dhe Sllovakia.

Përveç kësaj, shërbimi i hartës satelitore të BE-së “Copernicus” ka publikuar 20 harta të zonave të prekura.

Kjo ndihmë vjen pas reagimit të menjëhershëm të BE-së ndaj aktivizimit të mëhershëm të Greqisë të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së. Gjithashtu, nëntë avionë, 510 zjarrfikës dhe 117 automjete u angazhuan muajin e kaluar për të luftuar zjarret në përshkallëzim.

EMISIONET