Arrestohet në Greqi një person i dyshuar për spiunazh në një bazë amerikane

Arrestohet në Greqi një person i dyshuar për spiunazh në

Autoritetet greke kanë ndaluar një burrë të dyshuar për spiunazh në bazën amerikane në Kretë.

”Sipas autoriteteve ai është parë duke vëzhguar bazën ajrore dhe detare amerikane në Gjirin e Soudës në Kretë”, raportoi transmetuesi grek ERT, duke cituar burime policore.

Sipas raportit, autoritetet thonë se ai është parë duke fotografuar vende strategjikisht të ndjeshme dhe duke ndjekur lëvizjet e anijeve luftarake që hynin dhe dilnin nga gjiri.

Policia i sekuestroi afërsisht 5 000 fotografi dhe video të shumta.

Arrestimi vjen vetëm disa ditë pas një incidenti të ngjashëm në Qipro, ku një burrë u ndalua për planifikimin e dyshuar të një sulmi terrorist ndaj objekteve ushtarake atje.

I dyshuari dyshohet se ka ardhur nga Azerbajxhani dhe se ka vepruar në emër të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC).

Sipas medieve qipriote që citojnë burime qeveritare, ai hyri në vend duke përdorur një pasaportë britanike.

”Bazat perëndimore në Mesdhe, përfshirë dy baza britanike në Qipro dhe bazën strategjikisht të rëndësishme amerikane në Suda, mund të bëhen shënjestra të grupeve ekstremiste për shkak të luftës në rritje midis Izraelit dhe Iranit”, sipas forcave të sigurisë qipriote dhe greke.

”Si masë paraprake, mbikëqyrja dhe monitorimi rreth këtyre vendeve ushtarake është intensifikuar”, sipas raporteve të medieve nga të dy vendet.

EMISIONET