​Albin Kurti tregon tri shtyllat mbi të cilat do të themelonte Asociacionin

​Albin Kurti tregon tri shtyllat mbi të cilat do të themelonte

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur sot se në takimin e 18 marsit në Ohër ka paraqitur një ofertë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mirëpo që është refuzuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Ai në konferencë për medie ka thënë se nëse pala serbe është dakord që të pranojë tri shtylla bazike, si Kushtetutën e Kosovës, aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen e parimeve për Asociacionin në vitin 2015 dhe qëndrimin e Brukselit dhe Washingtonit mbi atë se çka përafërsisht është dhe nuk është Asociacioni, atëherë ai është i gatshëm të hartojë statutin e Asociacionit.

Por, kreu qeveritar, duke cituar edhe presidentin serb Vuçiç, ka thënë se ai në Ohër e ka refuzuar ashpër këtë propozim, duke thënë “nuk kemi çka të flasim tutje dhe po humbim kohë”.

Kurti: Për këtë formulimin vetë menaxhimit të komunitetit serb në njërën anë dhe në anën tjetër edhe për marrëveshjet e trashëguara, por që kanë pësuar rrëzim nga institucionet e shtetit tonë, si Gjykata Kushtetuese apo që janë shkelur nga Serbia, unë kam bërë një ofertë konkrete, duke iu thënë se nëse pala serbe është dakord që të pranojë tri shtylla bazike si: Kushtetutën e Kosovës, aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të publikuar më 2015 dhe anën tjetër një qëndrim të Brukselit zyrtar dhe një tjetër të Washingtonit mbi atë çka përafërsisht është dhe nuk është Asociacioni, unë u kam thënë se nëse janë dakord me këtë premisë, atëherë jam i gatshëm ta shkruajë draftin e propozuar.

Por, u thash se duhet njëherë të pajtohemi me premisat. Nuk pati dakordim të përfillen këto tri shtyllat. Pra njëra shtyllë është kushtetutshmëria, ligjshmëria jonë dhe aktgjykimet e mëhershme. Shtylla tjetër është qëndrimi i Washingtonit zyrtar dhe shtylla tjetër qëndrimi i Brukselit zyrtar. Me këto tri shtylla unë iu kam thënë se ju sjell statutin si draft të shkruar nesër në mëngjes, këtë iu kam thënë në pasditen e hershme të 18 marsit, në takimin trilateral, mirëpo është refuzuar. Jo vetëm që u refuzua, por në atë momente u tha ‘nuk kemi çfarë të flasim më tutje po humbim kohë, të ngrihemi nga ky takim e të shkojmë’. Ishte refuzim shumë i ashpër i një oferte gjeneroze dhe parimore.

Duke folur për marrëveshjen e panënshkruar me Serbinë, kryeministri Kurti ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të dëshmohet tani për zbatimin e saj. Sipas tij, përmes deklaratave pala serbe po tregon se nuk e ka ndërmend të zbatojë diçka nga ajo ujdi.

EMISIONET