Abdixhiku i përgjigjet ftesës së Kurtit për presidentin: Flasim pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese

Abdixhiku i përgjigjet ftesës së Kurtit për presidentin:

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur ftesës për takim të kryeministrit Albin Kurti.

Ai tha se ka njoftuar liderin e LVV-së se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës në ditën e parë pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, çështja e zgjedhjes së presidentit është tashmë në shqyrtim të Kushtetueses dhe se koha politike merr fund derisa Kushtetuesja të ketë vendimmarrje.

“Kam falënderuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti, për ftesën për takim për çështjen e Presidentit. E kam njoftuar se do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese në ditën e parë pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese.

Duke qenë se çështja e zgjedhjes së Presidentit është tashmë në shqyrtim të Gjykatës Kushtetuese, duhet të kuptojmë se koha jonë politike ndalon përkohësisht, ndërsa koha e dëgjimit kushtetues merr fjalën në pavarësinë e saj.

Duke respektuar këtë rend, pa procese të tjera politike paralele, i bëjmë nder jo vetëm vetes, por edhe Republikës dhe institucioneve që janë ndërtuar me shumë mund.

Verdikti i Gjykatës duhet pritur me respekt të plotë institucional dhe me qetësi politike. Një orë pas verdiktit, mund të takohemi sërish”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.

Kurti gjatë ditës sotme bëri të ditur se ka dërguar ftesa partive opozitare për takim për çështjen e zgjedhjes së presidentit. /KosovaPress

EMISIONET