Zyrtarja e lartë e INTERPOL-it, WU: Inteligjenca dhe bashkëpunimi, kyç në luftën ndaj krimit ndërkufitar

Në punimet e Asamblesë së SEPCA-së, drejtorja për Bashkëpunim Strategjik në Sekretariatin e Përgjithshëm të INTERPOL-it, Ying WU, nënvizoi rëndësinë jetike të bashkëpunimit rajonal dhe global në përballjen me krimin ndërkufitar dhe fenomenet e ndërlidhura me të.
Duke iu referuar sfidave të përbashkëta me të cilat përballet rajoni, WU theksoi se krimi i organizuar sot ka marrë forma gjithnjë e më komplekse dhe ndërlidhëse, duke kaluar pa pengesa nga një veprimtari kriminale në tjetrën.
Sipas saj, trafikimi i qenieve njerëzore, kontrabanda e emigrantëve, pastrimi i parave, trafikimi i armëve dhe aktivitetet financiare të paligjshme, jo vetëm që janë të ndërvarura, por gjithashtu financojnë dhe forcojnë njëra-tjetrën.
Ndaj, vijoi WU, nevojitet ndarje e informacionit, koordinim dhe bashkëpunim.
“Përmes këtyre strategjive mund të arrijmë përgjigje efektive ndaj kërcënimeve të sotme”, theksoi zyrtarja e Interpol.
WU u ndal te rezultatet konkrete të operacioneve të fundit të INTERPOL-it.
Një nga më të rëndësishmit, sipas saj, ishte operacioni i zhvilluar në 116 shtete gjatë muajve shtator–tetor të vitit të kaluar.
“U shpëtuan mbi 2 mijë viktima të trafikimit. U identifikuan mbi 17 mijë migrantë të parregullt. U arrestuan mbi 2 mijë persona, dhe u çmontuan më shumë se 57 grupe të krimit të organizuar”, deklaroi WU.
Operacioni, sipas saj, gjithashtu çoi në ngritjen e një njësie të përbashkët koordinimi në Maqedoninë e Veriut, duke lehtësuar bashkëpunimin rajonal dhe duke rezultuar në arrestime të shumta në vendet fqinje, përfshirë edhe një rrjet të kontrabandës me bazë në Rumani që operonte në Evropë.
Përmes këtyre shembujve konkretë, zyrtarja e INTERPOL-it theksoi se vetëm veprimi i përbashkët dhe ndarja e informacionit në kohë reale mund të çojë në goditje të suksesshme ndaj rrjeteve kriminale që nuk njohin kufij.
“Ky operacion pesëditor ilustroi qartë vështirësitë me të cilat përballemi sot. Nga njëra anë, kemi krimin e organizuar që kalon lehtësisht nga një aktivitet i paligjshëm në një tjetër, dhe nga ana tjetër, bashkëpunimin mes grupeve kriminale ndërkombëtare që ndajnë burime, informacione dhe rrjete përfitimi. Duke synuar trafikimin e qenieve njerëzore dhe kontrabandimin e emigrantëve, operacioni zbuloi një sërë krimesh të tjera të lidhura, si pastrim parash, trafik armësh dhe aktivitete të tjera të paligjshme. Pamë se si viktimat vinin nga Azia, Evropa dhe Amerika, duke dëshmuar se rrjetet kriminale nuk njohin kufij dhe veprojnë në shkallë globale”, deklaroi WU.
Ajo theksoi se asnjë shtet nuk mund ta përballojë i vetëm këtë kërcënim të ndërlikuar dhe të shtrirë gjeografikisht, ndaj është thelbësore të ndërtohen struktura bashkëpunimi të qëndrueshme, të teknologjizuara dhe të koordinuara.
“INTERPOL-i mbetet i angazhuar për të ndarë ekspertizën dhe mjetet e tij me të gjitha vendet partnere. Vetëm së bashku mund të ndërtojmë një Evropë Juglindore më të sigurt dhe një botë më të mbrojtur për të gjithë”, theksoi WU.



