Zgjerimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë, Balla takon Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe

Zgjerimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë, Balla takon

Zgjerimi i bashkëpunimit në fushën e policisë dhe sigurisë ishte në fokus të takimit të zhvilluar sot mes ministrit të Brendshëm Taulant Balla dhe Presidentit të Emirateve të Bashkuara, Muhammed Bin Zayed Al Nahyan.

Në një reagim në rrjete sociale, Balla bëri të ditur se në takim u diskutua dhe për marrëveshjen për ngritjen e taskforcës kundër krimit të organizuar të dakordësuar mes dy ministrave të brendshëm.

“Shumë i nderuar nga miqësia dhe mikpritja në mexhlisin Qasr Al Bah nga Lartësia e Tij Presidenti i Emirateve të Bashkuara, Muhammed Bin Zayed Al Nahyan, të cilit i përcolla përshëndetjet e Kryeministrit Edi Rama dhe urimet për prosperitet të vazhdueshëm të Emirateve dhe të popullit të vet.

Lartësia e Tij Presidenti i EBA shprehu përshëndetjet e tij më të mira për Kryeministrin dhe urimet për vendin e popullin tonë për të vijuar progresin”, shkruan Balla.

“Në takim u diskutua mbi marrëdhëniet mes dy vendeve tona dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fushat e policisë dhe sigurisë.

Mundësitë për të përfituar nga ekspertiza dhe eksperienca e EBA në këto fusha u diskutuan në kuadër të Marrëveshjes mes Shqipërisë dhe EBA, si dhe të taskforcës së Bashkëpunimit të dakordësuar mes dy ministrave të brendshëm”, vijoi Balla.

Të pranishëm në mexhlis ishin edhe Sheikh Khaled bin Mohamed bin Zayed Al Nahyan, Princi i Kurorës Abu Dhabi; Sheikh Suroor bin Mohammed Al Nahyan; Sheikh Saif bin Zayed Al Nahyan, zëvendëskryeministër dhe ministër i Brendshëm, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan, ministër i Punëve të Jashtme.

Ministri i Brendshëm Balla më herët publikoi në rrjetin social “Facebook” dhe pamje nga takimi me ministrin e Drejtësisë së Emirateve Arabe, Abdullah bin Sultan bin Awad Al Nuaimi.

Ministri Balla ndodhet në vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe.

 

EMISIONET