Zgjedhje në PD pas 14 majit, Alibeaj kërkon mbështetjen për këshillin bashkiak në Shkodër
Enkelejd Alibeaj paralajmëroi se organet e reja drejtuese të Partisë Demokratike do të zgjidhen pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të 14 majit. Me të mbaruar këtë betejë, ai tha se anëtarësia demokrate do të vendosë drejtuesit e rinj. Në Shkodër, Alibeaj ka paraqitur kandidatë vetëm për këshillin bashkiak por jo për kryetar bashkie.
Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, paralajmëroi se pas zgjedhjeve vendore, kjo forcë politike do ti nënshtrohet një procesi për zgjedhjen e organeve drejtuese.
Gjatë një takimi në Shkodër, ku kërkoi votat e demokratëve për këshillin bashkiak për zgjedhjet e 14 majit, Alibeaj u shpreh se procesi do të jetë tërësisht i lirë dhe demokratik.
“PD pas 15 majit do t’i nënshtrohet një procesi për zgjidhjen dhe zgjedhjen e organeve drejtuese te saj duke iu futur një procesi të gjere demokratik. Me rregulla të reja, me tradita të reja për të lene pas traditën Berishiste. Per tu ndare përfundimisht nga e kaluara dhe për te bërë një hap të ri. Per te lene pas gjuhën e urrejtjes dhe për të mundësuar një aleancë me shumë potencial për vitin 2025”.
Kryedemokrati i komanduar, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po rikthen psikozën e diktaturës.
“Ai, Edi Rama i cili ka shpopulluar këtë vend, ka shkatërruar zgjedhjet e lira, ka kthyer psikozën e diktaturës në këtë vend, ka asgjësuar praktikisht në këtë vend ligjin dhe shtetin e së drejtës, ka krijuar oligarkinë ekonomike dhe mediatike rreth vetes. E ka kthyer këtë vend në një far west të krimit të organizuar, të lidhur me pushtetin. Që korrupton gjithçka”.
Në bashkinë e Shkodrës, Enkelejd Alibeaj nuk ka nxjerrë kandidat për bashkinë por ka vendosur të shkojë në zgjedhjet e 14 majit duke garuar vetëm për këshillin bashkiak.