VOTIMET NË KUVEND/ Lantona Sado zgjidhet mes tymit Drejtoreshë e Përgjithshme e INSTAT-it

Kuvendi miratoi sot projektligjet në rendin e ditës, në një situatë të tensionuar të krijuar nga opozita, e cila bllokoi foltoren dhe ndezi flakadanë në sallë.

Po ashtu Kuvendi miratoi me 75 vota pro, emërimin e Lantona Sados në detyrën e Drejtores së Përgjithshme të Institutit të Statistikave (INSTAT).

Këshilli i Ministrave i kishte propozuar Kuvendit tre kandidatura për këtë pozicion, mes të cilave edhe Elsa Dhuli, e cila aktualisht mban postin e drejtores së INSTAT-it, si dhe Ledjon Shahinin.

Gjatë dëgjesës në Komisionin Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, Sado prezantoi vizionin e saj për drejtimin e institucionit.

Në fjalën e saj, ajo theksoi rolin strategjik të INSTAT-it, veçanërisht në një kohë kur prodhimi, analiza dhe komunikimi i informacionit statistikor kërkojnë standarde gjithnjë e më të larta.

Sipas saj, statistikat zyrtare zhvillohen në një kontekst ku kërkohet rritje e transparencës, përdorim i inovacionit në produktet statistikore dhe forcim i mëtejshëm i besueshmërisë së të dhënave.

“Roli i INSTAT-it është strategjik në mbështetje të përmbushjes së kritereve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, u shpreh Sado, duke theksuar rëndësinë e përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë së statistikave zyrtare në rrugën e re që Shqipëria synon të ndjekë drejt integrimit europian.

VOTIMET NE KUVEND

Në këtë klimë të tensionuar, Kuvendi miratoi vetëm me votat e mazhorancës projektligjet në rendin e ditës si më poshtë:

Projektligjin “Për ratifikimin e Traktatit të Riadit për Disenjot dhe të rregulloreve sipas këtij traktati, bërë në Riad, më 22 nëntor 2024”.

Projektligjin “Për kujdesin alternativ në familje në Republikën e Shqipërisë”

Projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 10221, datë 4.2.2010 “Për mbrojtjen nga diskriminimi”

Projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.16/2018, “Për diasporën”, të ndryshuar

Projektligjin “Për vullnetarizmin”

Projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 155/2020, “Për ndryshimet klimatike”” 78

Projektligjin “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”

Projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 25/2022 “Për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve”, të ndryshuar

Projektvendimi “Për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Statistikave”

Projektvendim “Për miratimin e disa ndryshimeve në vendimin “Për miratimin e strukturës organizative, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar

Projektvendimin “Për miratimin e organikës dhe klasifikimit të pagave të punonjësve administrativë pas mbarimit të mandatit të Komisionit të Posaçëm të Apelimit”.

EMISIONET