Vizioni drejt Shqipërisë 2030, Rama ndan pamje nga Kuvendi Rinor në Gjirokastër

Kuvendet Rinore Socialiste që po zhvillohen në gjithë vendin do të kulmojnë në 1 shkurt, me Kuvendin Kombëtar për Shqipërinë 2030.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga Kuvendi Rinor Socialist i Gjirokastrës, ku të rinjtë shpalosën platformat e tyre drejt Shqipërisë 2030.
Duke marrë fjalën në këtë Kuvend, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro njëherësh dhe drejtuese politike e PS-së në qarkun e Gjirokastrës, u ndal te transformimi i Gjirokastrës gjatë qeverisjes socialiste.
“Që gjërat të ndodhin, që Gjirokastra të mos jetë Gjirokastra e 10 viteve më parë që në orën 2 të drekës ishte mbyllur çdo gjë, pazari ishte i vdekur, por të jetë ky qyteti që gjallon sot nga eventet dhe nga energjia juaj, por sidomos edhe e dhjetëra, qindra, mijëra turistëve që vijnë dhe prodhojnë ekonomi, duhet forca politike”, tha Kumbaro.
Sipas saj, “për të realizuar këtë duhet qeverisja dhe vizioni i Edi Ramës”.
Ndaj, Kumbaro u bëri thirrje të rinjve të votojnë në 11 maj për Shqipërinë 2030, “një projekt i jashtëzakonshëm në të cilin ata janë pjesë sot, por do të jenë udhëheqësit e këtij projekti nesër”.

