VIDEO/ Vajza e ish-Presidentit të ndjerë Bujar Nishani në 35-vjetorin e PD, Fiona Nishani: Demokracia është detyrë, rinia ka rol kyç

Në ceremoninë e 35‑vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike, Fiona Nishani, vajza e ish-Presidentit të ndjerë Bujar Nishani, nënvizoi arritjet e kësaj force politike dhe rëndësinë e tyre për brezin e ri.

Ajo e cilësoi themelimin e PD‑së më 11 dhjetor 1990 si një moment që “ndezi dritën e shpresës për Shqipërinë e lirë pas dekadash errësirë komuniste”.

Nishani theksoi si dy arritjet më të mëdha liberalizimin e vizave drejt Evropës, që sipas saj i hapi mundësi brezit të ri për studime dhe eksperienca ndërkombëtare, si dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, që i dha vendit një mbrojtje të qëndrueshme ushtarake dhe sigurie.

FJALA

I nderuar Profesor Doktor Sali Berisha,
Të nderuar deputetë,
Të dashur miq, demokratë dhe themelues të Partisë Demokratike,

Sot kujtojmë 35-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike. Një ditë që ndezi dritën e shpresës për Shqipërinë e lirë, pas dekadash errësirë komuniste. Më 11 dhjetor 1990, zëri guximshëm i studentëve, intelektualëve dhe punëtorëve të Shqipërisë sfidoi frikën dhe izolimin, duke hapur rrugë drejt demokracisë.

Për mua, ky përvjetor është shumë i rëndësishëm. Jam pjesë e një familjeje ku politika ka qenë gjithmonë frymëzim, debat dhe pasion. Brezi im është rritur në një realitet ku arritjet e Partisë Demokratike kanë lënë gjurmë të drejtpërdrejta në jetën e secilit prej nesh.

Ne jemi brezi që ka fluturuar drejt Evropës pa viza një ëndërr që u bë realitet falë qeverisjes së Partisë Demokratike. Liberalizimi i vizave ishte çelësi që hapi dyert e mundësive, universiteteve, njohjeve dhe kulturave të reja. Ndoshta ishte dhurata më e bukur që politika shqiptare u ka bërë të rinjve.

Ne jemi brezi që është rritur i sigurt nën ombrellën e NATO-s. Anëtarësimi në NATO nuk ishte thjesht një firmë në një dokument; ishte garancia se e ardhmja jonë do të ishte më e sigurt sesa e kaluara e hidhur.

Të gjitha këto tregojnë se kur Partia Demokratike ka qenë në krye të vendit, Shqipëria ka ecur përpara në liri, drejtësi, integrim dhe zhvillim. Por sot, në 35-vjetorin e saj, Partia Demokratike ka më shumë nevojë se kurrë për ne, të rinjtë për energjinë, idetë dhe pastërtinë tonë morale. Ka nevojë për të rinj që nuk dorëzohen, që nuk e pranojnë padrejtësinë si normalitet, që nuk e pranojnë largimin si zgjidhje.

Sot, 11 dhjetori, na kujton se demokracia nuk është dhuratë, por detyrë. Na kujton se shpresa nuk duhet humbur kurrë, sepse ajo lindi pikërisht në momentet më të vështira.

Gëzuar 35-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike!
Rroftë Partia Demokratike!

EMISIONET