VIDEO/ Berisha: Narkoshteti po mobilizon trupën kriminale elektorale më të rrezikshme të të gjitha kohërave! Ambasadat janë në një veprimtari elektorale të ethshme


Gjatë konferencës me gazetarët, kryedemokrati u ka bërë thirrje degëve të PD-së që të organizojnë protesta para ambasadave të Shqipërisë, pasi këto institucione janë duke kryer veprimtari elektorale të ethshme për partinë në pushtet dhe Edi Ramën.

Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:

Një seri zhvillimesh të reja dëshmojnë se narkoshteti po mobilizon të gjithë potencialet e tji për t’u shndërruar në trupin kriminal elektoral më të rrezikshëm të kohërave.

Punonjësit civilë të qeverive vendore, të arsimit, punonjësit e ambasadave të Shqipërisë në botë, po shndërrohen në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën, në kriminelë të vërtetë elektorale.

Unë këtu dua të lexoj vetëm një mesazh që dëshmon fytyrën kriminale të hajdutit Subash të Fierit.

-Jam e mërzitur dhe e lodhur, thotë punonjësja.

-Pse, çfarë ke?

-Do më heqin nga puna.

-Pse?

-Ngaqë nuk gjej të afër që jetojnë jashtë shtetit për votimet. -Për gjëra koti që iu tek kryetarit të bashkisë Fier.

-Mjerë ju çfarë u ka gjetur. Hidheni në gjyq?

-E fiton ai gjyqin se e njeh ligjin.

-Po të hoqën për këto motive, fiton ti, jo ai. Janë mësuar këta që njerëzit që nuk i duan, i heqin nga puna.

Pra, arrin gjer në shkallë cinizmi i narkoshtetit sa që të heq nga puna nëse nuk ke në rrethin tënd familjarë që të japin emrat e tyre.

Ambasadat janë në një veprimtari elektorale të ethshme.

Ndaj unë u kërkoj degëve të PD kudo që janë të organizojnë manifestime dhe demonstratat më të rrezikshme para narkoambasadave të narkorepublikës së Shqipërisë.

Kudo, në çdo shtet, të mobilizojnë gjithë forcën e tyre, të përdorin vezë dhe domate kundër selive dhe punonjësve të ambasadave të implikuar në veprimtari kriminale elektorale, të ndaluar me ligj.

Po kështu të shënjojnë, të krijojnë librin e zi, në të cilin do regjistrojnë çdo akt që vjen në kundërshtim me kodin zgjedhor dhe Kushtetutën e vendit, emrin, funksionin, detyrën dhe aktin që kryen punonjësi i dhënë.

Qeveria, në kundërshtim flagrant me kodin zgjedhor, është lëshuar e papërmbajtur, e tmerruar në një seri vendimesh, që të gjitha me qëllime elektorale.

Garantoj përfituesit e tyre se do trajtohen si bashkëautorë në një krim të rëndë elektoral.

Të lexojnë kodin dhe të mos bëhen bashkëautorë të një bande kriminale që nuk njeh ligj, as Kushtetutë.

Çështja e dytë që desha të sjell, zhvillimet e tjera dramatike në shkollat e vendit.

Ngjarja e shkollës ‘Fan Noli’ po përsëritej pothuajse me një gravitet të ngjashëm në Cakran të Fierit.

Po kështu një lajm që duhet verifikuar, dhe u kërkoj medieve ta verifikojnë, se një raportim më ka ardhur mbrëmë për shkollën ‘Isa Boletini’, dhe që e kanë fshehur.

Pra, kanë futur krimin dhe drogën në shkolla narkoshteti.

Po fute drogën, ke futur krimin, i ke futur të gjitha.

Prindër në Cakran rrëfejnë se nxënësit rrahin mësuesit. Degradim i plotë i narkoshtetit, por degradim i atyre institucioneve, të cilat janë institucionet më të rëndësishme siç janë shkollat.

U bëj thirrje prindërve dhe nxënësve të bëjnë gjithçka për të shmangur episode të tilla të nxitura direkt nga pushteti i krimit.

Këto janë shprehje flagrante të penetrimit të krimit në shkolla, të drogës në shkolla.

Dënoj me ashpërsinë më të madhe qëndrimin indiferent dhe fshehjen e këtyre akteve nga Ministria e Arsimit, Policia e Shtetit dhe qeveria.

Garantoj se akte të tilla në shkolla do dënohen me rreptësinë më të madhe se se në mënyrën më të prerë, të armatosur me armë të ftohta apo të tjera, nuk do mund të futet kush në shkollë.

Kjo që ndodh në shkollat tona po paguhet me gjakun e fëmijëve tanë dhe është i tëri skenar i narkoshtetit.

EMISIONET