Venecia: Procesi zgjedhor të jetë i lirë dhe i rregullt! Bylykbashi: Të marrë fund pandëshkueshmëria

Venecia: Procesi zgjedhor të jetë i lirë dhe i rregullt!

Depolitizimi i Administratës Zgjedhore ishte në fokus të tryezës së organizuar nga Komisioni i Venecias, OSBE e KQZ  me përfaqësues të partive politike. Komisioni i Venecias kërkoi zgjedhje të lira dhe administratë të pavarur zgjedhore, ndërsa KQZ u shpreh kundër depolitizimit të plotë me argumentin se nëse partitë nuk kanë përfaqësuesit e tyre, nuk e pranojnë rezultatin. Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi tha se depolitizimi nuk mund të jetë i njëanshëm, ndërsa  ngriti shqetësimin për kapjen e zgjedhjeve dhe shtetin elektoral, duke theksuar se duhet të marrë fund pandëshkueshmëria.

Më pak se 6 muaj nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 2025, komisioni i Venecias ka bërë thirrje për zgjedhje të lira  dhe për një administratë zgjedhore të pavarur. Në një tryezë të përbashkët me KQZ e OSBE, me në fokus depolitizimin e administratës zgjedhore, anëtari zëvendësues i Komisionit të Venecias Sasa Zagoec deklaroi se ky komision është i gatshëm të ndihmojë për një proces të rregullt

Komisioni i Venecias, me opinionet e veta, mund të identifikojnë mundësi përmirësimi. Është detyrë e organeve të nënvizojnë çështje që i konsiderojnë të rëndësishme për t’i diskutuar.

Administrata zgjedhore profesioniste dhe e pavarur është e rëndësishme për zgjedhje të lira dhe të drejta.

Partitë politike duhet të përfaqësohen në mënyrë të barabartë. Kodi thekson se anëtarët që mund të emërohen nuk mund të largohen sipas dëshirës, ndaj është me rëndësi që të gjitha çështjet t’i diskutojmë përpara.

Kryekomisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Ilirian Celibashi u shpreh kundër depolitizimit të plotë,  me argumentin se nëse partitë politike nuk sjellin përfaqësuesit e tyre, nuk do të pranonin rezultatin.

Ndërkohë  deputeti i PD, Oerd Bylykbashi i pranishëm në këtë konferencë,  deklaroi se është abuzuar me termin depolitizim ndërsa ngriti shqetësimin për kapjen e zgjedhjeve.

Sipas Bylykbashit i gjithë shteti ngrihet në këmbë për fitoren e partisë në pushtet dhe se ka përpjekje për të marrë në kontroll edhe komisionet. Bylykbashi solli edhe rastet e votimit elektronik në Elbasan e Kamëz ku   operatorët votuan në emër të zgjedhësve por nuk u ndëshkuan.

PD kërkoi në këtë tryezë komisione të balancuara që të gjithë të kenë besueshmëri dhe jo depolitizim polik të njëanshëm.

EMISIONET