Vendimi i Kushtetueses për studentët e Mjekësisë, Zheni Gjergji: Ishte i drejtë, akti i qeverisë i nxituar

Gjykata Kushtetuese njoftoi të enjten rrëzimin e pjesshëm të ligjit të miratuar në muajin korrik 2023 për studentët e “Mjekësisë”, që do t’i detyronte ata të punonin në vend për një minimum prej pesë vitesh, pa të drejtën e diplomimit.

Lidhur me këtë vendim e ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” ishte Zheni Gjergji, deputete e Partisë Demokratike dhe kryetare e Komisionit të Shëndetësisë, por edhe një nga ligjvënësit firmëtarë të padisë së depozituar në gjykatë kundër draftit të Qeverisë.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte i drejtë. Ky ishte një ligj i nxituar, edhe studentët vetë nuk kanë qenë dakord me kohën 5-vjeçare të qëndrimit në Shqipëri pas studimeve, por kanë qenë të gatshëm të ofrojnë shërbimin e tyre në Shqipëri, por jo të detyruar për ta bërë.”, u shpreh ndër të tjera Gjergji.

Më tej ajo theksoi se koha është e mjaftueshme tashmë për të hartuar një ligj shumë të mirë që do të bëjë të mundur frenimin në një farë mënyre për të ndaluar ikjen masive të mjekëve nga vendi.

“Politikat e qeverisë duhet të hartohen në mënyrë të gjithanshme, pra kjo nuk bëhet vetëm me pagat, por edhe me infraktrukturën në punë dhe kushtet e punës për ta”, u shpreh Gjergji.

Ndërkaq, lidhur me zhvillimet në komisionin e reformës zgjedhore, deputetja demokrate u shpreh se nuk mund të ketë  punime normale të komisionit pa u bërë rikompozimi i përbërjes së tij.

“Problemi është se grupi parlamentar i PD-së i kanë dërguar një letër kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla. Ky vendim për të mbajtur mbledhje online është një shkelje e rëndë e Rregullores së Kuvendit dhe besoj se shumë shpejt që dhe ky Komision ashtu si dhe të tjerët, do të ankimohen në Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh ligjvënësja demokrate, Zheni Gjergji.

lili saraçi zheni gjergji

EMISIONET