Veizaj lë mandatin, Salianji “ngrin” firmat
Telashe të reja në kampin demokrat. Deputeti i Vlorës, Fation Veizaj, la mandatin e deputetit me argumentin se nuk bëhet palë me asnjë grupim që sjell përçarje. Ervin Salianji ndërkaq njoftoi tërheqjen nga synimi për ti zënë vendin Enkelejd Ailbeajt, duke u zotuar për bashkimin e partisë.
Një tjetër deputet i Partisë Demokrate lë mandatin, ndërsa brenda vlon beteja për të siguruar shumicën parlamentare të ligjvënësve opozitare.
Fation Veizaj i zgjedhur në qarkun e Vlorës, është i treti që largohet pas Alfred Rrushajt dhe Grida Dumës.
Veizaj thotë se refuzon kategorikisht përjashtimet nga njëra anë, por dhe të përdoret nga individë për interesa personale në anën tjetër.
"Duke refuzuar kategorikisht përjashtimet nga njëra anë, por dhe mënyrën e përdorur nga individë të caktuar në kërkim pushteti personal, pa respektuar dinjitetin e deputetëve të zgjedhur dhe me pasojë thellimin e përçarjes nga ana tjetër, kam vendosur të heq dorë nga mandati i deputetit".
Por përballë pamundësisë për të mbledhur firmat që i duheshin e ndoshta pas një konsulte me Sali Berishën, Ervin Salianji, u duk më i relaksuar në këtë nisme duke theksuar se nuk e ka me ngut, e në këtë mënyrë duke njoftuar shtyrjen e saj.
"Janë në një mendim të caktuar për ti dhënë zgjidhje kësaj situate për shkak të një vendimi që është më shumë se arbitrar dhe tregon një mundësi jodemokratike dhe aspak euroatlantiste siç është përjashtimi për shkak të mendimit ndryshe apo përjashtimi për shkak të qëndrimit ndryshe që mund të shprehej me vota të caktuara ne do ti japim kohën e domosdoshme jo vetëm reflektimit por diskutimit me gjithë kolegët e grupit parlamentar të PD-së për të arritur të kemi një vendimmarrje me konsensus sa më të gjerë."
Por teksa në Partinë Demokratike, është riaktivizuar një debat firmash dhe ulësesh në Kuvend, ky moment ndryshe nga sa të gjithë prisnin, faktoi çarjen e fortë brenda kësaj partie.
E duket se për këtë situatë, më të shqetësuar janë aleatët, të cilët nuk kanë nguruar as publikisht por as privatisht të japin receta nëqoftëse jo për një bashkim të paktën për një bashkëpunim deri me 14 maj.


