“U vendos në vend dinjiteti ynë”/ Rama: Paga mesatare arrin 950 euro, mësuesit të vlerësuar, stimul për të vazhduar më tej

Sipas kryeministrit Rama, mësimdhënësit e kanë pritur me mirënjohje rritjen e pagës, që hyn në fuqi nga 1 korriku.
Në një video të publikuar nga vetë kryeministri Edi Rama, mësuesit thonë se kjo është hera e parë që ka një rritje page kaq të prekshme dhe e konsiderojnë një vlerësim për punën e tyre.
“Ky është një lajm i gëzueshëm për mua, për kolegët e mi, sepse kthehet në një vlerësim të madh për punën e mësuesit dhe angazhimin tonë të përditshëm në arsim”, shprehet mësuese Elmie Novi.
“Më në fund, mësuesit po vlerësohen ashtu sikurse duhet, me këtë rritje të konsiderueshme page”, thotë mësuese Eva Taku.
“Ky është viti i parë i punës për mua dhe kjo rritje rroge është një stimul për të ecur përpara”, rrëfen mësuese Brunilda Hajdari.
“Në këto 14 vite që unë jap mësim, është hera e parë që kjo rritje është kaq e prekshme”, thotë mësuese Ava Gjorga.

