U arrestua për krim zgjedhor / Kryetari i Bashkisë Rrogozhinë pushton bashkinë me fisin e tij

U arrestua për krim zgjedhor / Kryetari i Bashkisë Rrogozhinë

Kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla, është arrestuar tre ditë më parë, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi dënimin me 1 vit burg për veprën penale “korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim.

Hetimet ndaj Memollës nisën pas publikimit në media të një audio-përgjimi, ku sipas SPAK-ut, ai dëgjohej duke ndërhyrë te një punonjës i OSHEE-së për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenteje debitore, me qëllim që të siguronte votën e saj në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit 2022.

Në atë kohë, Memolla kandidonte për kryetar bashkie nën siglën e Partisë Socialiste. SPAK përfundoi hetimet për këtë çështje më 2 nëntor 2023, ndërsa tashmë, me vendimin e formës së prerë, dënimi ka hyrë në fuqi.

Por me kryetarin e Bashkisë Rrogozhinë, “Piranjat” është njohur në rrethana të tjera.

Disa muaj më parë, emisioni dokumentoi fenomenin e nepotizmit në këtë bashki. Edison Memolla kishte vendosur në pozicionet kyçe të bashkisë të gjithë familjarët dhe miqtë e afërt të tij.

Në postin e këshilltares kishte emëruar vajzën e xhaxhait, Erinda Memolla, ndërsa bashkëshortin e saj e kishte vendosur në postin e nënkryetarit.

Ndërkohë, postin e besueshëm të sekretares dhe përgjegjëses së protokollit e zotëron Xhulia Kalemi, e cila është kushërira e kryetarit. Ndërsa vëllait të saj, Renato Kalemit, i është besuar pozicioni i punonjësit të shërbimeve. Në postin e magazinierit të Drejtorisë së Shërbimeve është Mariglen Memolla, djali i xhaxhait të kryetarit.

Ndërsa kushëririt të dytë, Gëzim Memollës, i është besuar pozicioni i skrepistit.

Postin e drejtorit të Arsimit, Sportit dhe Kulturës ia ka dhuruar Orges Toskut, kunatit të xhaxhait. Në pozicionin e drejtorit të Financës është vendosur Rezart Vogli, i cili bie kushëri me kryetarin. Ndërsa bashkëshortja e tij, Raimonda Vogli, është përgjegjëse te Qendra Kulturore e bashkisë.

Blerina Methasani Memolla, bashkëshortja e djalit të xhaxhait të kryetarit, është caktuar në pozicionin e përgjegjëses së financës. Fadil Halitin, djalin e hallës, e ka bërë shofer.

Pas Renatos dhe Erindës, kalojmë te një tjetër fenomen që nuk paraqitet asnjë ditë të vetme në punë, pavarësisht se paguhet rregullisht nga taksat e qytetarëve të Rrogozhinës. Ky zotëri quhet Harun Murrani, pensionist dhe njëkohësisht specialist i shërbimit social, në letra, pasi Harunin e gjen në një tjetër detyrë, më të rëndësishme se punët e bashkisë, në treg, duke shitur fruta-perime.

Lidhur me këtë akuzë, Kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla, mohoi kushërinjtë e tij, duke thënë se nuk ishte e vërtetë që i kishte të afërm.

Është e qartë, të gjitha postet që përmendëm janë “qoka” të kryetarit, në rastin më të mirë me konkurse fiktive kur bëhet fjalë për nëpunës civilë, ose aspak në bazë të aftësive individuale për stafin e ngushtë të Memollës./Piranjat.news

EMISIONET