Tre kandidatë të PD-së në listën e hapur kërkojnë rinumërimin e votave në Tiranë
Tre kandidatë për deputetë nga listat e hapura të Partisë Demokratike-Koalicioni për Shqipërinë Madhështore, Ilir Alimehmeti, Lisandër Hoxha dhe Mimoza Hajdarmataj kanë ankimuar rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, duke kërkuar rinumërimin e votave në Qarkun e Tiranës.
Në ankimimin e tij drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilir Alimehmeti, i renditur i dyti nga kandidatët e listës së hapur të PD-së, thekson se “gjatë procesit të verifikimit të filmimeve të kamerave nga ana jonë, për një numër të kufizuar të cilat na janë vënë në dispozicion nga administrata e KQZ-së, janë vërejtur disa parregullsi që mund të ndikojnë në ndryshimin e rezultatit në mënyrë të ndjeshme”
“Në këto kushte, po paraqes këtë ankim pranë KAS, bazuar edhe në dispozitat e Kodit Zgjedhor”, thuhet në ankimimin e tij”, thekson Alimehmeti.
Alimehmeti nënvizon më tej se duke “pasur parasysh faktin që subjekti ynë “PD-ASH” ka marrë 164,316 vota, rezultati për kandidatët mund të ndryshojë, në kushtet kur diferenca midis meje dhe kandidatit të renditur përpara në listë është tejet e ngushtë, ose rreth 1.2% e numrit total të të gjitha votave të subjektit”.
“Vetëm në QV 1834/00, rezulton se 27 vota preferenciale për Ilir Alimehmeti i janë kaluar një tjetër kandidati, duke u shënuar në tabelën përmbledhëse 0 vota”, shkruan ai, duke renditur më pas edhe qendrat e votimit ku sipas tij ka pasur probleme të tilla”, thuhet në ankimimin e tij.
Në këto kushte Alimehmeti kërkon rinumërimin dhe rivlerësimin e të gjitha Qendrave të Votimit të qarkut Tiranë.
Kandidati për deputet Lisandër Hoxha po ashtu pretendon për parregullsi gjatë procesoy të numërimit të numërimit. Sipas tij nga videot e marra jo të plota nga KQZ të procesit të numërimit të votave të zgjedhësve, ka konstatuar se disa vota preferenciale të tijat janë regjistruar në emër të një kandidati tjetër.
“Sipas informacioneve, ky fenomen ka ndodhur edhe në KZAZ të tjera, duke tjetërsuar rezultatin e zgjedhjeve”, theksoi ai i cili gjithashtu ka kërkuar rivlerësimin e votave të kandidatëve për të gjitha KZAZ e qarkut Tiranë.
Po ashtu edhe Mimoza Hajdarmataj në ankimimin e saj thekson se ka pasur parregullsi në masën mbi 100 vota në të paktën 6 KZAZ.
Duke ju referuar disa qendrave të votimit, Hajdarmataj thekson se “krijojnë bindjen se numërimi ka patur problematika në të gjithë qarkun e Tiranës, duke krijuar shkak për rinumërimin dhe/ose rivlerësimin të të gjitha qendrave të votimit”.

