Trajtimi i SPAK ndaj aferave/ Trenova: Pesë tendera me të njëjtën skemë nuk janë më korrupsion, por grup kriminal

I ftuar në emisionin “Drejt” në Ora News, ish-prokurori Gentian Trenova foli për mënyrën se si SPAK po i trajton aferat me tenderat publikë, duke ngritur dyshime jo vetëm për korrupsion të zakonshëm, por për ekzistencën e grupeve të strukturuara kriminale brenda institucioneve.

Sipas tij, standardi i ri hetimor nuk ndalet më vetëm tek shkelja e procedurës së tenderit, por tek bashkëpunimi i vazhdueshëm mes disa personave për të përfituar para publike në mënyrë të organizuar. Trenova shpjegoi se kur i njëjti grup përfshihet në disa tendera me të njëjtën skemë, kemi të bëjmë me një nivel tjetër përgjegjësie penale.

“Kemi një standard të ri. Nëse tre ose më shumë persona bashkëpunojnë vazhdimisht për të arritur një qëllim kriminal, atëherë kemi grup të strukturuar kriminal. Kur bëhen një, dy, tre apo pesë tendera me të njëjtën skemë, nuk është më thjesht bashkëpunim.”-u shpreh ai.

Ish-prokurori sqaroi se hetimet po shkojnë përtej dokumenteve zyrtare. Sipas tij, SPAK po përdor komunikime telefonike, mesazhe dhe dëshmi personash të përfshirë për të provuar organizimin e skemës dhe koordinimin mes anëtarëve të komisioneve të tenderave.

Ai tha se më parë hetimet fokusoheshin vetëm te procedura dhe dokumentacioni, ndërsa tani po hetohen edhe kontaktet dhe marrëveshjet e fshehta mes personave të përfshirë.

“Dokumentet nuk mjaftojnë më. Hetohen telefonat, mesazhet, përgjimet dhe dëshmitë. Duhet të provohet si është organizuar skema dhe kush ka bashkëpunuar përtej letrave zyrtare.”-u shpreh ish-prokurori.

Sipas Trenovës, në çështje të tilla bëhet i rëndësishëm edhe bashkëpunimi i personave që kanë qenë pjesë e procedurave, pasi dëshmitë e tyre ndihmojnë në zbardhjen e mënyrës se si janë ndarë rolet dhe si është ndërtuar mekanizmi i dyshuar i korrupsionit.

 

EMISIONET